Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona! Zbulohen 2600 bimë dhe 170 kg drogë e përpunuar

Shkodra

Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona! Zbulohen 2600 bimë dhe 170 kg drogë e përpunuar

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 15:59
Shkodër

Një ambient nëntokësor, me hyrje të kamufluar dhe i përshtatur për kultivimin e kanabisit dhe përpunimin e lëndës narkotike, është zbuluar nga Policia e Shkodrës në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”. Në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, në pranga kanë rënë 10 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 2 600 bimë kanabis të kultivuara në vazo dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar.

Sipas Policisë, operacioni u organizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e “Kanalit të Drinit”.

Gjatë kontrollit në njërën prej tyre, një magazinë, efektivët zbuluan një hyrje të fshehur që të çonte në një ambient nëntokësor. Ky i fundit ishte ndarë në dy pjesë: njëra ishte përshtatur për kultivimin e bimëve të kanabisit me anë të llambave, ndërsa pjesa tjetër shërbente për përpunimin e lëndës narkotike.

Në këtë ambient u konstatuan dhe u arrestuan në flagrancë 10 persona: D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër; A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, banues në Cërrik; A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë; A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan; F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë; si dhe E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.

Nga verifikimet policore rezultoi se njëri prej të arrestuarve, A. L., 46 vjeç, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat