Dhunimi i familjes shqiptare në doganë, kryebashkiaku Spahia lëshon thirrjen e fortë drejt autoriteteve të Malit të Zi

Shkodra

Dhunimi i familjes shqiptare në doganë, kryebashkiaku Spahia lëshon thirrjen e fortë drejt autoriteteve të Malit të Zi

Më: 17 janar 2023 Në ora: 14:50
Bardh Spahia

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia e ka konsideruar të papranueshëm dhe skandaloz dhunimin e Petraq Milos, aktualisht është sekretar për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Malin e Zi.

Në një postim në Facebook, Spahia shkruan se ngjarja duhet zbardhur dhe se autoritetet duhet t’i japin dënimin e merituar doganierit që e ka bërë këtë gjë. Kryebashkiaku shton se këto veprime nuk i shërbejnë raporteve miqësore. 

“Të papranueshme dhe tejet të rënda janë këto pamje që u bënë publike nga media. Dhuna ndaj qytetarëve që lëvizin në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, është një akt skandaloz i elementëve që nuk i bëjnë nder asnjë trupe policie në asnjë vend të botës. I bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të kërkojnë me forcë zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e këtyre akteve. Autoritetet e shtetit të Malit të Zi duhet ta hetojnë rastin në fjalë dhe t’i japin dënimin e merituar veprimeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve miqësore mes dy vendeve tona dhe punës se madhe që është bërë deri në funksionimin me një doganë të përbashkët. Sot mbi gjithçka prevalon ligji dhe aktet e dhunës ndaj qytetarëve janë të papranueshme, aq më tepër nga uniforma e shtetit”, shkroi Spahia.

Petraq Milo dhe familja e tij janë dhunuar nga Policia malazeze në doganën e Murriqanit. Pamjet e dhunës janë bërë virale në rrjetet sociale. Ish-këshilltari i ish-presidentit Ilir Meta është nxjerrë zvarrë nga makina dhe më pas është përplasur pas një tjetre. Po ashtu, të njëjtin "fat" ka pasur edhe i biri, ndërsa një grua e dhunuar barbarisht, ka humbur ndjenjat brenda makinës. Personi që i ka dhunuar është identifikuar si doganieri Nikola Boljeviç. Deri më tani ka reaguar vetëm Partia Demokratike, por asnjë institucion tjetër shtetëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat