Protesta të qeta në Shkup kundër “propozimit francez”

Shkupi

Protesta të qeta në Shkup kundër “propozimit francez”

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 21:54
Shkup, 7 korrik, 2022.

Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten në Shkup, për të gjashtën ditë me radhë, për të protestuar kundër një propozimi të Francës, që synon t’i zgjidhë disa mospajtime midis Shkupit dhe Sofjes, me qëllim që t’i hapet rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partitë maqedonase në opozitë, që organizojnë protestat, thonë se ky propozim vë në rrezik identitetin maqedonas, ndërsa Qeveria, e cila e ka pranuar atë, thotë se ai ruan gjuhën dhe historinë maqedonase.

Për dallim prej disa ditëve të kaluara, kur protestat u përshkallëzuan në dhunë, tubimet e së enjtes ishin të qeta.

Protestuesve iu drejtua udhëheqësi i partisë opozitare maqedonase, Hristian Mickoski, duke iu thënë se ata nuk duhet të lejojnë që të bien “pre e provokimeve”.

“T’u themi një ‘jo’ të madhe të gjithë atyre që tentojnë të kontaminojnë këtë protestë mbarëpopullore. Forca nuk është te dhuna, forca është te masiviteti”, tha ai.

Një ditë më herët, Mickoski ka thënë se një protestues, që ka shtënë me armë zjarri, ka “tentuar ta vrasë”, por ai nuk ka sjellë asnjë provë për pretendimet e tij.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar më pas se ka arrestuar një person, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Të enjten, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shqyrtoi propozimin e Francës dhe vendosi që ai të kalojë në Kuvend për miratim.

Nga Kuvendi nuk japin informacione se kur do të mund të zhvillohet debati rreth tij.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një letër drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të enjten, tha se propozimi francez nuk është i përsosur, por fut vendin në BE./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat