Shtyhet me 9 muaj pajisja me dekodera për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën

Shqipëria

Shtyhet me 9 muaj pajisja me dekodera për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën

Më: 11 janar 2019 Në ora: 14:51
Ilustrim

Autoriteti i Mediave Audiovizive njofton se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës parashikuar për në datën 15 janar 2019, shtyhet për në datën 1 Shtator 2019.

Në këto dy qarqe, aktualisht bashkë ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike, kjo metodë simultane transmetimi e cila garanton vazhdimësinë e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë periudhës tranzitore, do të vijojë deri në datën 1 Shtator 2019.

“Kujtojmë se, për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet digjitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë” – shkruan AMA në njoftim.

AMA shprehet se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqendruar numri më i madh i banorëve dhe evidentohet, bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2.

“Gjithashtu, duke mbajtur parasysh vendimin nr. 547/2018 të Autoritetit të Konkurrencës, që rekomandon rritjen e sensibilizimit ndaj opinionit publik, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, por edhe në qarqet në vijim ku pritet të ndodhë digjitalizimi,  AMA vijon punën për përmirësimin e fushatës informuese për publikun, përfshirë edhe ndryshimin e përmbajtjes së spoteve informuese, njoftimeve, apo zgjerimin e kanaleve të komunikimit” – thotë AMA.

Kuadri ligjor që normon procesin e digjitalizimit kërkon domosdoshmërisht pajisjen e plotë të audiencës me marrës numerikë, ose dekodera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore.

AMA shton se vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve, me qëllim finalizimin e këtij objektivi në qarqet Tiranë dhe Durrës.

“Ndërkohë finalizojmë zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019. Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat