Pakti për Universitetin, masat që garantojnë cilësinë e kërkimit shkencor

Shqipëria

Pakti për Universitetin, masat që garantojnë cilësinë e kërkimit shkencor

Më: 19 janar 2019 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Pakti për Universitetin ofron zgjidhje konkrete sa i takon cilësisë së kërkimit shkencor, njëra prej kërkesave të parashtruara nga studentët.

Në Paktin për Universitetin evidentohet fillimisht situata aktuale dhe problematikat që ekzistojnë.

Buxheti aktual për arsimin është në masën e 3.1% të PBB-së dhe nëse këtu shtohet edhe arsimi profesional shkon në 3.2% të PBB-së. Krahasimisht, mesatarja e vendeve të BE-së është 4.7% e PBB-së.

Shpenzimet publike për arsimin e lartë në raport me PBB-në janë në masën e 0.2 pikë më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Shpenzimet në përgjithësi dhe investimet në veçanti janë rritur gradualisht përgjatë 5 viteve të fundit, por rritja nuk është reflektuar sa duhet në procesin e mësimdhënies dhe tek komuniteti akademik.

Reforma arsimore e vitit 2015 i ka dhënë autonomi financiare të plotë IAL-vë, të cilat me
vendimmarrje të përbashkët të Senateve dhe Bordeve të Administrimit përcaktojnë prioritetet dhe shpenzimet në bazë të tyre.

Sa i takon zgjidhjeve që ofrohen në Paktin për Universitetin, përtej rritjes së subvencionimit për mbështetjen financiare të studentëve, qeveria angazhohet në 4 drejtime të tjera.

Konkretisht, qeveria angazhohet për rritjen e financimit për arsimin e lartë, duke synuar arritjen e mesatares së vendeve të rajonit deri në vitin 2023.

Po ashtu, do të përfundojë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve mes IAL-ve dhe fakulteteve të tyre me ministritë e linjës, që mundësojnë bashkëpunimin në vazhdimësi me qëllim financimin e cilësisë së kërkimit shkencor, pajtimin e fakulteteve për ofrimin e konsulencës për projekte të institucioneve shtetërore dhe krijimin e mekanizmave sistematikë, për praktika mësimore, stazhe dhe punësim të studentëve, brenda mars 2019 dhe në vijim.

Pakti parashikon edhe integrimin e studentëve në procesin e parashikimit dhe transparencës së buxheteve të IAL-ve nëpërmjet evidentimit të nevojave përmes ndërveprimit në Platformën e Transparencës.

Një tjetër aspekt është edhe shqyrtimi i mundësisë për rritjen e kontributit të sektorit privat në mbështetje të Arsimit të Lartë. 20% e fondit të përgjegjësisë sociale të korporatave nga kompanitë që gëzojnë kontrata koncesionare nga shteti shqiptar, të dedikohen për financimin e Arsimit të Lartë, sipas fushës apo vendndodhjes së aktivitetit kryesor të koncesionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat