“Eskobari” kërkon gjykim të shkurtuar

Shqipëria

“Eskobari” kërkon gjykim të shkurtuar

Më: 25 janar 2019 Në ora: 20:15
Klement Balili

Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi mbylljen e hetimeve për Klement Balilin duke i konsideruar veprimet e Prokurorisë të rregullta dhe duke mos ndryshuar asnjë nga akuzat sipas të cilave prokurorët ngrenë dyshime se 46-vjeçari ka kryer trafikun e 678 kg kanabis, ka marrë pjesë në grup kriminal, ka pastrim para dhe fshehur të ardhurat.

Pas këtij momenti çështja për të etiketuarin si Eskobari i Ballkanit kalon për shqyrtim në themel.

Pavarësisht se u shfaq ne seance pas vetëdorëzimit, në seancën paraprake Balili kishte përcjellë një deklaratë ku shprehte vullnetin për të mos u paraqitur. Por kërkesa e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar, solli shtyrjen e procesit për 1 orë e 30 minuta, derisa i pandehuri u transportua nga paraburgimi në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Kërkesa e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar konfirmon faktin se vetëdorëzimi i tij në duart e policisë ishte i llogaritur dhe i menduar fare mirë. Nëse kjo kërkesë paraprake pranohet atëherë Klement Balili nën akuzë për katër vepra penale përfiton ulje të një të tretës së dënimit.

Gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranim fajësie, por është një kërkesë për të zhvilluar një proces të shpejtë që me gjasë mbyllet brenda 4 seancave.

Nëse kjo kërkesë pranohet atëherë palët nuk i nënshtrohen debatit gjyqësor dhe shqyrtimit të provave. Por nisur nga qëndrimi i Balilit që e shfajësoi veten gjatë masës së sigurisë, nuk është çudi që ai të luajë me kartën e pafajësisë që edhe nëse nuk i merret parasysh, aplikimi i gjykimit të shkurtuar i hap një derë tjetër për t’i shpëtuar burgimit maksimal që sjell gjykimi i zakonshëm.

Prokuroria thotë se Balili ka komunikuar në telefon me dy skafistë dhe një shtetas grek gjatë transportimit të një ngarkese me 678 kg kanabis që u trafikua nga brigjet e Sarandës drejt Zakinthos, Greqi. Një version ky që kundërshtohet nga avokatet e Balilit me pretendimin se ‘Keli’ që fliste në telefon nuk ishte Klement Balili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat