Sondazhi, bashkitë nuk përfituan maksimalisht nga renta minerare

Shqipëria

Sondazhi, bashkitë nuk përfituan maksimalisht nga renta minerare

Më: 27 janar 2019 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim (QSHZHI) zhvilloi një projekt monitorimi përgjatë muajve gusht 2018-janar 2019, në lidhje me shpërndarjen e rentës minerare për pushtetin vendor, në 5 bashki të vendit (Patos, Roskovec, Ura Vajgurore, Bulqizë dhe Has) ku ka aktivitet të industrisë nxjerrëse.

Projekti “Përdorimi i plotë 5% i rentës minerare në dobi të komunitetit dhe transparenca e plotë e përdorimit të saj për publikun”, i mbështetur nga Lëviz Albania realizoi mbi 40 takime dhe intervista me Kryetarë të Bashkive, punonjës të tatimeve në këto bashki, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.

Gjetjet e sondazhit konstatuan se, njësitë e vetëqeverisjes vendore, nuk i kanë shfrytëzuar maksimalisht instrumentet ligjore, dhe si rrjedhojë, nuk janë imponuar dot ose nuk janë dëgjuar nga qeveria qendrore për shqetësimet e tyre në lidhje me vështirësitë dhe vonesat e përllogaritjes, mbledhjes apo vjeljes së pjesës që u takon nga renta minerare.

Në këto kushte Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim i propozon qeverisë: “Rishikimin i kuadrit ligjor dhe gjetja e instrumenteve efektivë për ta lehtësuar procesin nga barra e madhe burokratike; Të shihet mundësia e transfertës së rentës, 95% për shtetin dhe 5% për bashkinë në momentin fillestar kur bëhen transaksionet financiare të kompanive gjatë shitjeve të brendshme tek tatimet apo eksporteve tek doganat; Qeveria të rikthejë masën 25% të rentës për njësitë e pushtetit vendor sic ka qenë deri në vitin 2014 ndërkohë që për bashkitë që përfitojnë shuma të vogla nga renta ajo të shkojë në masën 100%; Ndërkaq të gjitha bashkitë duhet të publikojnë në shifra dhe informojnë qytetarët e tyre për rentën e mbledhur dhe projektet e investuara sipas standardeve të EITI ku Shqipëria është anëtare që prej vitit 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat