PDIU bën thirrje për protestë masive: Nesër dita e llogarisë

Shqipëria

PDIU bën thirrje për protestë masive: Nesër dita e llogarisë

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 20:51
Shpëtim Idrizi

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi që tashmë është në aleancë me Lulzim Bashën i ka bërë thirrje sot qytetarëve, e veçanërisht simpatizantëve të kësaj force politike të dalin në protestë.

Duke listuar të gjitha arsyet pse duhet të protestojnë nesër, PDIU i kujton qytetarëve se nesër është dita kur pushteti duhet të japë llogari para tyre.

DEKLARATA E PLOTE

I bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë që nesër, më datë 16 Shkurt të protestojmë kundër:

Qeverisë që po e shkretëton Shqipërinë nga Shqiptarët; 380 mijë Shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në 4 vitet e fundit , në 5 të rinj, 4 duan të largohen;

Kundër varfërisë dhe rritjes së kostos së jetesës për çdo familje shqiptare;

Një qeverie që i ka hequr dinjitetin njerëzor 60 përqind të Shqiptarëve që duhet të jetojnë me 500 lekë në ditë për familje;

Kundër arbitraritetit të një shteti etatist që e sheh sipërrmarjen dhe biznesin e vogël si kulak e jo motorrin e ekonomisë;

Kundër një qeverie që ka 44 strategji kombëtare dhe asnjë prioritet për një ekonomi që orientohet drejt prodhimit;

Kundër arrogancës së një qeverie që nuk është aty për të shërbyer, por që shtetin ligjor e ka zëvendësuar me pushtetin e një njeriu;

Arrogancës, që mundin dhe taksat e Shqiptarëve i çon në duart e 5 oligarkeve;

Një mazhorance që është aty me vota të vjedhura e të trafikuara, e që është qartesisht në ilegjimitet të plotë;

Kundër një qeverie që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe kriminalizoi ekonominë shqiptare;

Një qeverie që nuk i mundëson studentëve të kenë mundësi shkollimi dhe akses të barabartë në dije, aq të nevojshme për kapitalin njerëzor;

Një qeverie që nga shëndetësi falas u ofroj Shqiptarëve mungesën e shërbimeve më bazike në shërbimin shëndetsor, duke i lëne në mëshirë të fatit;

Boll më me Shqipërinë, demokraci jo funksionale e në mungesë të shtetit ligjor;

Ne jemi pjesë e Europës dhe e duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Nesër të protestojmë si qytetarë me dinjitet, sepse vetëm një qytetar me dinjitet është një qytetar që reagon dhe kërkon llogari;

Nesër është dita që qytetarët të kërkojnë llogari!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat