Opozita dorëzoi mandatet për t’i ikur humbjes në zgjedhje

Shqipëria

Opozita dorëzoi mandatet për t’i ikur humbjes në zgjedhje

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 16:45
Pamje nga protesta

Opozita zgjodhi të dorëzojë mandatet për t’i ikur humbjes në zgjedhje dhe sepse e shohin se nuk kanë më asnjë mundësi të pengojnë drejtësinë.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorët e Gjirokastrës, në vijim të turit kombëtar “Bashkia që duam”.

Kryeministri vlerësoi mbështetjen e dëshmuar në këtë takim, që sipas tij “vjen në një moment kur realisht Shqipëria ka nevojë të vazhdojë të ecë përpara dhe ne të gjithë së bashku të ecim pa e ulur kokën, përkundrazi duke e rritur ritmin”.

“Patjetër që do të kujdesemi edhe për të gjithë miqtë tanë demokratë që u tradhëtuan nga përfaqësuesit e tyre në mënyrën më të habitshme dhe që historia e demokracisë parlamentare nuk e njeh, duke refuzuar mandatin e deputetit”, deklaroi Rama.

Sipas tij, “deputetët e opozitës nuk janë bërë popull siç pretendojnë, por thjesht kanë tradhtuar popullin që e ka zgjedhur për të shkuar atje dhe për t’i përfaqësuar”.

“U them të gjithë demokratëve se kjo nuk ka lidhje me ato që thuhen, por me ato që dihen. Së pari ata e dinë shumë mirë se ne nuk kanë asnjë shans të na mundin dhe e thonë edhe vetë”, tha Rama.

Lulzimi, sipas tij, nuk e përballon dot edhe një humbje tjetër, sepse edhe ai që e ka caktuar të rri aty ku është sot, nuk do të pranonte dot më një tjetër humbje.

“Ndaj Lulzimi zgjedh më mirë t’i ikë fare betejës se sa të futet dhe të dalë i humbur. Por unë e siguroj se ai, partia e tij dhe partia simotër do të dalë shumë më të humbur se sa do dilnin nga zgjedhjet”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, “ata janë në panik sepse e shohin që nuk kanë më asnjë mundësi të pengojnë drejtësinë dhe t’i mbyllin rrugën, siç e kanë bërë për vite të tëra”.

“Drejtësia e re ka disa punë me ta dhe ata braktisën Kuvendin duke u përpjekur njësoj si të mbyturit pas fijes së barit, të kapen pas iluzionit se mund ta tërheqin prej hunde këtë popull në rrugën e rrëmujës dhe destabilizimit për t’u bërë tym e flakë dhe për të zhdukur llogaritë e tyre me të shkuarën. Kjo nuk ka asnjë shans të funksionojë”, tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat