Opozitë e re në Parlament? Juristi i PS-së në KQZ: Për të marrë mandatin duhet kaluar pragu i 3%

Shqipëria

Opozitë e re në Parlament? Juristi i PS-së në KQZ: Për të marrë mandatin duhet kaluar pragu i 3%

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 21:13
Kuvendi i Shqipërisë

Opozita dorëzoi dje zyrtarisht mandatet pranë dhe beteja e ardhshme pritet të zhvillohet në KQZ.  Por cili do të jetë fati i 56 mandateve të dorëzuara?

Të ftuar në A2 News Kristaq Kume, ish kryetar i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve dhe Eridian Salianji,  përfaqësues ligjor i PS-së në KQZ, kanë komentuar atë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

Sipas Kumes, akti i përcjelljes së kërkesave në KQZ përbën “ akt normal”  të Kuvendit, ndërsa ngërçi i vërtetë është përgjigja e pyetjes: Çfarë do të ndodhë më e vonë?

Ndërsa për përfaqësuesin e PS-së në KQZ, procesi mund të jetë i gjatë, dhe jep shembullin e Qarkut të Tiranës, ku është e qartë se mandatet e Partisë Demokratike  do t’i shkojnë përsëri atyre, por “ do të paraqitet një listë me 12 deputetë që do të pyeten nga Kuvendi, lista po u refuzua do të shkojë në KQZ, dhe do të kalojnë 30 ditë vetëm për këtë listë , dhe më pas do të vijë lista e dytë, e tretë deri në shterim të listës”.   

Disa eksponentë të partive të vogla që nuk përfaqësohen në Parlament, si Libra ose Sfida, kanë pretenduar që mandatet mund t’i kalojnë atyre, por përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji e mohon këtë mundësi.

“Ligji e ka përcaktuar qartë që për të marrë mandatin duhet kaluar pragun e 3%”, u shpreh ai.

PDIU është partia e vetme që e ka kaluar këtë prag në disa Qarqe, por gjithsesi ajo nuk është në koalicionin opozitar. Ndërkohë që për këtë parti do të diskutohet në KQZ, Salianji është i qartë që “partitë që nuk e kanë kaluar këtë prag nuk mund të pretendojnë për mandate”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat