Skandal i Kuvendit të Shqipërisë me mandatet

Shqipëria

Skandal i Kuvendit të Shqipërisë me mandatet

Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:19
Gramos Ruçi

Pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, reagimi i komisionit të verifikimit të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë duket se i ka pritur me krahë hapur këto dorëzime. Me aq shpejtësi dhe vrull janë kryer procedurat për shpalljen e vendeve vakande saqë kuvendi as që ka shqyrtuar me korrektësi dokumentacionin e dorëzuar saqë edhe gabimet njerëzore apo lapsus-et në këto dokumente janë anashkaluar, duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren.

Neglizhenca dhe papërgjegjshmëria, në kundërshtim me të gjitha procedurat e verifikimit të dokumentacionit në Kuvendin e Shqipërisë u zbulua në deklaratën e dorëzimit të mandatit të deputetit të LSI për qarkun Gjirokastër, Vangjel Tavo, i cili e ka nënshkruar dokumentin e lënies së mandatit si Vangjel Harallamb Tavo, ndërkohë që babai i tij në pashaportë emrin e saktë e ka Llambi.

Gazeta jonë arriti të zbulonte këtë skandal nga ana e Kuvendit të Shqipërisë dhe komisioni i verifikimit të mandateve i cili duhet të verifikonte këtë lapsus dhe t’i kërkonte deputetit Vangjel Tavo të përdorte emrin e pashaportizimit të babait të tij në dokumentin e firmosur. Me sa duket, komisioni i verifikimit të mandateve as që është mbledhur duke i kaluar kërkesat për miratim pas asnjë lloj verifikimi.

Vangjel Tavo është ndër deputetët e parë të LSI i cili u tregua pioner i dorëzimit të mandatit, por ky lapsus përbën një shkelje të rëndë nga ana e Komisionit të Verifikimit të Mandateve dhe Kuvendit të Shqipërisë, pasi gjatë ditës së sotme ne zbuluam se egziston edhe një person tjetër me emrin Vangjel Harallamb Tavo.

Tani pyetja qëndron, me këtë parregullsi, a vlen juridikisht dokumenti i dorëzimit të mandatit për Vangjel Tavon? Pasi fundja me një emër atësie të pasaktë, personi në fjalë është një person tjetër.

Ne kontaktuam me z. Tavo, i cili u shpreh i keqardhur për këtë lapsus, duke shpjeguar se babai i tij thirrej Llambi dhe Harallamb nga familja dhe miqtë e zonës dhe u shpreh se për momentin gjendet jashtë vendit, dhe me t’u kthyer në atdhe do dorëzojë edhe një herë deklaratën e dorëzimit të mandatit, të plotësuar korrektësisht, i bindur në vendimin e dorëzimit dhe “si aksioni politik më i duhur dhe më i nevojshëm për situatën në të cilin gjendet vendi,” u shpreh ai.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat