Klosi: Nuk ka asnjë autorizim për TEC-in e Korçës

Shqipëria

Klosi: Nuk ka asnjë autorizim për TEC-in e Korçës

Më: 10 mars 2019 Në ora: 15:07
Korçë

Këtë të dielë TEC-i i Korçës ka marrë vëmendjen e politikës, fillimisht me denoncimin e ish kryeministrit Berisha e më pas me një reagim të vetë kryetarit socialist të Bashkisë së qytetit, i cili shprehej kundër projektit.

Por pas këtyre dy reagimeve, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi ka shkruar në rrjetin social duke deklaruar se po bëhet një zhurmë e “politikës së sajesave” për termocentralin e Korçës. Klosi thotë se nuk ka asnjë autorizim e asnjë leje për TEC-in, një reagim që më së shumti i shkon shkresës së dërguar nga vetë kryebashkiaku Sotiraq File.

“TEC-i Korçës një zhurmë tipike e politikës së sajesave për sherr! S'ka asnjë autorizim e asnjë leje jo e jo, po thjesht një miratim në parim si investim sratetegjik. Për sa kohë s'ka një projekt të standardeve të BE-së, s'ka asnjë shans jo për të nisur punë, po për asnjë autorizim!”-shkruan Klosi.

Kujtojmë se në lidhje me projektin e TEC-it të Korçës kanë dalë një sërë detajesh, përfshi këtu edhe faktin se projekti kap shifra prej qindra miliona eurosh investim. TEC është parashikuar që të bëhet nga një kompani e huaj dhe të funksionojë me gazin i cili do të vijë nga TAP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat