Gjonaj, në Korçë: Kadastra do të zgjidhë gangrenën me pronat

Shqipëria

Gjonaj, në Korçë: Kadastra do të zgjidhë gangrenën me pronat

Më: 15 mars 2019 Në ora: 20:47
Etilda Gjonaj

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i punës mes pushtetit qendror dhe atij vendor me fokus parësor qytetarët, për tu ofruar shërbime më cilësore, për të luftuar korrupsionin dhe ulur burokracinë. Temat kryesore që u diskutuan ishin pronat dhe përmbarimi shtetëror e privat.

Ministrja e Drejtësisë tha se Agjencia e Kadastrës, e cila është drejt finalizimit, do të zgjidhë gangrenën e trashëguar prej tri dekadash për sa i përket çështjeve me pronën. Por Gjonaj theksoi se gjatë viteve të fundit procesi është përmirësuar ndjeshëm, falë reformave të ndërmarra, fakt që paqyrohet me numrin e lartë të lejeve të legalizuara nga Aluizni, si dhe certifikatat e pronësisë, lëshuar nga ZRPP. Gjithashtu, theksoi se Ministria e Drejtësisë ka filluar tashmë një reformim rrënjësor të profesioneve të lira, duke përfshirë Përmbarimin dhe Noterinë.

Më pas, Ministrja vizitoi edhe godinën e re të hapur së fundmi pranë bashkisë Korçë, ku qytetarët marrin një sërë shërbimesh cilësore. Në një ambient të vetëm e bashkëkohor, të gjitha zyrat e bashkisë dhe pushtetit qendror japin shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, zyra e taksave, urbanistika, zyra juridike, drejtoria e kontrollit të territorit, INUV, drejtoria e bujqësisë, qendra kombëtare e biznesit, zyra e gjendjes civile, Aleat, etj. Gjithashtu Ministrja vizitoi edhe sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak të qytetit, e rikonstruktuar tërësisht.

Ministrja Etilda Gjonaj vizitoi edhe ambientet e zyrës së punës, e cila më parë kishte qenë kazino, e tashmë u shërben qytetarëve për t’u integruar në tregun e punës. Shifrat e arritura nga kjo zyrë, tregojnë qartë funksionin dhe frutet e saj. Numri i të papunëve në qarkun e Korçës është ulur me 30% krahasuar me vitin 2017. Gjatë vitit 2018 janë punësuar 2562 qytetarë duke tejkaluar edhe objektivat e vendosur nga zyra qendrore SHKP. Gjatë vizitës, vetë ministrja Etilda Gjonaj takoi një qytetare, e cila sapo ishte punësuar në një biznes privat dhe kishte dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat