Opozita cakton datën për protestën e radhës

Shqipëria

Opozita cakton datën për protestën e radhës

Më: 23 mars 2019 Në ora: 20:53
Protesta

Në datë 13 Prill opozita shqiptare njofton se do të zhvillojë protestën e radhës të madhe përpara Kryeministrisë kundër qeverisë Rama. Vendimi është marrë mbrëmjen e sotme gjatë takimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me Kolegjin e Kryetarëve (drejtuesit e degëve të PD-së në rrethe).

Kolegji ka vendosur që përpos përgatitjeve për protestën e madhe në 13 Prill përpara selisë së qeverisë, do të vijohet me strategjinë, që për cdo të enjte do të ketë tubim përpara parlamentit teksa zhvillohet seanca plenare.

Nga data 16 shkurt e këtij viti, opozita ka zhvilluar gjashtë protesta deri tani, dy përpara Kryeministrisë dhe katër përpara godinës së parlamentit gjatë seancave plenare.

Disa nga protestat kanë eskaluar në dhunë duke sjellë arrestimin e disa simpatizantëve të Partisë Demokratike, ndërsa në procedim në gjendje të lirë për dy protestat e fundit është edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Opozita vijon kështu skenarin për të larguar qeverinë me protesta, ndërsa Rama deklaroi sot se do të vijojë normalisht punën dhe u ofroi si mundësi për zgjedhje të parakohshme vetëm nëse do të fitojnë një bashki më shumë se PS-ja në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku PD-ja pak ditë më parë hodhi hapin e parë drejt bojkotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat