“Lëvizja kombëtare për lexim” mbledh lexuesit e vegjël

Shqipëria

“Lëvizja kombëtare për lexim” mbledh lexuesit e vegjël

Më: 29 mars 2019 Në ora: 16:07
Pamje nga vendi i ngjarjes

Fushata “Lëvizja kombëtare për lexim” iniciuar nga Ministria e Kulturës mbështetet edhe nga Muzeu Historik Kombëtar.

Mbështetja e kësaj fushate synon të orientojë shoqërinë, në veçanti brezin e ri, drejt kulturës së të lexuarit.

Në këtë kuadër sot, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar erdhën nxënësit e klasës së parë të shkollës 9-vjeçare publike “Avni Rustemi” për të lexuar së bashku librin “Lëndina e arushëve” të shkrimtares për fëmijë Rovena Rrozhani.

Nxënësit ndanë së bashku historinë e arushit Tom.  Fëmijët dhe shkrimtarja bashkëbiseduan për librat e tyre të parapëlqyer dhe për rëndësinë e leximit që në moshë të vogël.

Përveç leximit, fëmijët mësuan edhe për dukurinë e arinjve në robëri si dhe informacionet të tjera për kafshët dhe natyrën. Leximi i këtij libri, i pari me tematikë mjedisore në letërsinë e sotme shqipe për fëmijë, përkon me ditën kur e mbarë bota përgatitet për të zhvilluar aktivitetet për “Ora e Tokës”. Pikërisht në kuadër të kësaj dite, shkrimtarja u foli fëmijëve për rëndësinë e mjedisit në jetën e njeriut.

“Është ky brezi që do të ndryshojë të ardhmen jo vetëm të vendit tonë por edhe të globit”- thotë Rovena Rrozhani duke theksuar se edukimi mjedisor është po aq i rëndësishëm sa edhe edukimi kulturor. “Një fëmijë e ka në vetvete dashurinë për natyrën, por nëse ne i japim modelet e duhura dhe kultivojmë edukatën për sjelljet të duhura ndaj mjedisit do të kemi një shoqëri që do të vërë në plan të parë ruajtjen e natyrës” – shprehet shkrimtarja.

Në përfundim të takimit, nxënësit vizituan edhe disa nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat