Vasili: Shteti veprime kriminale ndaj protestuesve, prokuroria të veprojë

Shqipëria

Vasili: Shteti veprime kriminale ndaj protestuesve, prokuroria të veprojë

Më: 15 prill 2019 Në ora: 15:43
Petrit Vasili

Ish-deputeti i LSI Petrit Vasili në një dalje publike tha se policia ka tmerruar të arrestuarit e protestës. Vasili tha se protestuesit janë rrëmbyer dhe janë mbajtur pa akuza, duke u dhunuar. Ai shtoi se Prokuroria po bëhet palë me krimin shtetëror.

“Jemi sërish në këtë komunikim së bashku për të ndarë të vërtetat e mëdha, të cilat kanë shoqëruar dhe shoqërojnë situatën në Shqipëri, ku shteti ka vendosur në mënyrë përfundimtare të jetë armik me qytetarët dhe në asnjë rast mik dhe mbështetës i tyre. Lidhur me të vërteta e tjera që kanë pasuar mitingun e jashtëzakonshëm për nga dimensioni dhe mesazhi i opozitës, i cili me të drejtë është quajtur nga të gjitha mediat ndërkombëtare, si mitingu më i madh opozitar në të gjithë Ballkanin, për fat të keq shteti u soll sërish si një shtet gangsterësh dhe paturpërsisht mashtroi gjerësisht opinionin publik për të vërtetat e mitingut, ku opozita dha provën e pjekurisë, maturisë, forcës dhe vetëpërmbajtjes”, deklaroi Vasili.

Sipas tij, pati një shtet ku histeria e mbajtjes së karriges së pushtetit të Kryeministrit, e bëri atë që të dhunojë qytetarët dhe çdo normë demokratike. “Së pari, sot e kësaj dite nuk ka asnjë hetim, asnjë të dhënë mbi aktin terrorist dhe kriminal të djegies së automjetit të paidentifikuar mu në mes të demonstruesve, i cili mund të rrezikonte jetën e qindra demonstruesve. Një akt kriminal i pashembullt në historinë e pluralizmit, i zhvilluar në një ambient të errët, në një rrugë së cilës iu hoq ndriçimi nga qeveria, nga të gjithë ata që administrojnë shtetin, duke krijuar të gjitha premisat për të realizuar një provokim kriminal dhe terrorist në mes të Tiranës”, tha Vasili.

Ai theksoi më tej se sot e kësaj dite nuk zbardhet përse u mbajt në errësirë i gjithë sheshi i protestës, ndërkohë që policia çirrej në mënyrë histerike, kërkonte mbarëvajtjen e protestës, krijoi premisën themelore që protesta të provokohej, pavarësisht se opozita nuk u provokua.

Vasili tha se asnjë i vetëm nuk është gjetur nga një institucion publik i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, që është Avokati i Popullit.

“Përkundrazi çfarë është gjetur, dhe do ti lutesha kamerave të regjistrojë, ta fokusojnë, është gjetur protestues me pranga të lidhur tek krevati, një foto e turpit e pashlyeshme në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjatë. Edhe kriminelëve më të mëdhenj në dhomat e spitaleve u sigurohet ruajtja e tyre tek dera e dhomës dhe të tërë kushtet e sigurisë, por asnjëherë të prangosur në krevatin e tyre”, tha më tej.

Për Vasili, kjo flet qartë, cili ka qenë qëndrimi dhe cila ka qenë dhuna me të cilën janë përballur protestuesit, pa akuza, të rrëmbyer, në mes të natës, vetëm me fjalë goje, pra një shtet gangsterësh që rrëmben njerëzit në mes të rrugës.

“Sot e kësaj dite Prokuroria hesht. Prokuroria vazhdon të bëhet palë me krimin shtetëror. Po e lajmërojmë edhe Prokurorinë, sikurse Ministrinë e Brendshme, të cilët nuk kanë mundësi të zbulojnë kriminelët që vodhën 10 milion euro në mes të Rinasit, ku nuk ka asnjë të ndaluar. Po i paralajmëroj sërish Prokurorinë dhe Policinë, që nuk ndal dot asnjë nga kusarët e Unazës së Re, që nuk ndal dot asnjë nga ata që hodhën gaz lotsjellës në banesat e Bregut të Lumit, të një vendi i cili gangsterizmi shtetëror e ka kthyer në institucion. Po i paralajmëroj dhe njëherë. Mandatet e tyre janë shumë të shkurtra në kohë. Jeta është shumë e gjatë.

Dimensioni i demokracisë, i forcës së popullit, nuk ndalet dot as nga këta zvarranikë pushteti dhe as nga këta shërbëtorë të verbër, duke filluar nga Ministri i Brendshëm, tashmë i përfshirë në këto vepra të rënda kriminale të policisë që udhëheq vetë, të cilët ka marrë përsipër t’i justifikojë vetë bashkë me ministrin e tij. Dhe po kështu dhe Prokuroria bashkëfajtore që hesht.

Kjo është një llogari e hapur me qytetarët, publike, jo vetëm me qytetarët, jo vetëm me mediat, jo vetëm me të vërtetën por dhe me ligjin. Kjo llogari do të lahet deri në fund. Kjo është një llogari e hapur me çdo shqiptar. Dhe provat janë të hekurta, të pakundërshtueshme dhe të pafalshme. Ta kujtojnë dhe njëherë të gjithë, të pafalshme, nuk do të amnistohen kurrë”, përfundoi Vasili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat