Komandanti i KFOR, vizitë zyrtare në vendin tonë

Shqipëria

Komandanti i KFOR, vizitë zyrtare në vendin tonë

Më: 18 prill 2019 Në ora: 18:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi.Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi.

Vizita e gjeneralmajor D’Addario në vendin tonë zhvillohet në kuadër të diskutimeve të çështjeve kyçe të sigurisë, por edhe për mbarëvajtjen dhe vijimin e mbështetjes së vendit tonë për Operacionet e NATO në Kosovë (KFOR).

Zëvendësministri Koçi vlerësoi rëndësinë e KFOR për sigurinë në Republikën e Kosovës dhe shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për integrimin dhe forcimin e institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë.

"KFOR mbetet një mision jetik për Kosovën, një shtyllë e stabilitetit dhe paqes, jo vetëm për vetë Kosovën, por për gjithë rajonin. Përshëndesim qëndrimin e KFOR të 4 prillit ndaj pretendimeve serbe për gjoja provokime nga prezenca e ushtarakëve shqiptarë të KFOR në veri të Kosovës. Këto janë përpjekje për të kufizuar vetë KFOR dhe jo ushtarakët shqiptarë pjesë e KFOR. Nëse sot ngrihen pretendime për shqiptarët, nesër mund të ngrihen të njëjtat pretendime për ushtarakë të vendeve të tjera. KFOR ka mbështetjen tonë të plotë. Ne mbështesim aspiratën euroatlantike të Kosovës dhe ndihmojmë nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO, NATO Advisory and Liaison Team (NALT) dhe bashkëpunimit dypalësh, reformimin euroatlantik të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA të Kosovës."- u shpreh zëvendësministri Koçi.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë prej 10 vitesh në misionin e KFOR në Kosovë.
Më pas, komandanti i KFOR, gjeneralmajor D’Addario u prit në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Pasi i uroi mirëseardhjen, gjeneral brigade Kollçaku u shpreh se si vend anëtar i NATO, FARSH do të vazhdojnë kontributin e tyre në KFOR si dhe të mbështesin KFOR në përmbushjen e angazhimeve të tij. ”Vlerësoj rolin dhe lidershipin e tij personal për drejtimin e misionit KFOR, për menaxhimin me sukses të situatës në disa raste shumë delikate dhe të vështirë. Roli i KFOR është një faktor stabiliteti jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, - u shpreh gjeneral brigade Kollçaku.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR, gjeneralmajor D’Addario pasi falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade, Bardhyl Kollçaku për mikpritjen, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në misionin KFOR, ku ushtarakët shqiptarë kanë treguar dhe tregojnë një performancë të lartë. “Vlerësoj rolin e Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të RSH si një partner shumë të besueshëm si dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë dhe japin misionit tonë në realizimin e detyrave të saj”.

Dy gjeneralët u ndalën në situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke shprehur shqetësime të përbashkëta në lidhje me rreziqe dhe kërcënime që i kanosen Kosovës, rajonit dhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat