Policia Rrugore: 18 konsuj nderi dorëzojnë targat diplomatike

Shqipëria

Policia Rrugore: 18 konsuj nderi dorëzojnë targat diplomatike

Më: 24 prill 2019 Në ora: 12:49
Ilustrim

Policia Rrugore është duke zhvilluar kontrolle dhe duke dhënë këshillat e rastit që konsujt e nderit të dorëzojnë target diplomatike “CD”, në kuadër të vendimit të qeverisë të datës 1 prill, për heqjen targave diplomatike për konsujt e nderit.

Drejtori Policisë Rrugore, Mit’hat Tola, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, u shpreh se kemi zhvilluar kontrolle dhe kemi kërkuar nga konsujt e nderit të dorëzojnë targat diplomatike dhe të marrin targa normale qarkullimi. “Kemi zhvilluar kontrolle në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të fillimit të muajit. I kemi informuar konsujt për vendimin e marrë. Kemi kërkuar që targat diplomatike të dorëzohen nga konsujt dhe kemi këshilluar pajisjen e tyre me targa normale qarkullimi”, tha Tola.

Sipas tij, gjysma e konsujve kanë zbatuar urdhrin.  “Janë rreth 18 konsuj që e kanë zbatuar urdhrin. Kanë dorëzuar targat diplomatike “CD” dhe që janë pajisur me targa normale. Ka një afat në të cilin duhet të përfundojë ky proces vullnetar i dorëzimit të targave, por po diskutohet dhe ndryshimi këtij afati”, tha Tola më tej. Sipas afatit fillestar, Konsujt e nderit duhet të përfundojnë dorëzimin vullnetar të targave diplomatike brenda ditës së premte.

Vendimi për heqjen e targave diplomatike për konsujt e nderit u njoftua në fillim të muajit nga ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, sipas të cilit, “në shkelje të habitshme të ligjit janë plot 38 konsuj nderi, të pajisur me targa CD, të cilët hyjnë e dalin në vend si përfaqësues më të lartë diplomatikë”. Cakaj deklaroi se ky privilegj është i pajustifikueshëm dhe duhet të marrë fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat