PD: Veliaj paguan 48 milionë dollarë për 7 mijë rrogëtarë, kampion i gjobëvënies

Shqipëria

PD: Veliaj paguan 48 milionë dollarë për 7 mijë rrogëtarë, kampion i gjobëvënies

Më: 4 maj 2019 Në ora: 15:05
Mateo Spaho

Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Mateo Spaho, thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj do të hyjë në historinë e kryeqytetit si kryebashkiaku që e përdori pushtetin e dhënë prej qytetarëve të Tiranës për një qëllim të vetëm, për të grabitur pronën publike, për të shpërdoruar taksat e qytetarëve dhe për të betonizuar Tiranën.

Në një dalje të sotme për mediat, ai deklaroi se në funksion të këtij qëllimi, Erion Veliaj ndërmori dje një akt mafioz, për të cilin hesht dhe nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim publik.

“Me më pak se 37 votat që i kërkon ligji i pushtetit lokal, Erion Veliaj vendosi të përfshijë në votim 6 prona të tjera publike, për t’ia grabitur qytetarëve dhe t’ua dhënë ato klientëve të tij privatë. Deri tani secili nga këto vendime klienteliste mbahet sekret dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk i jepen as këshilltarëve socialist, as këshilltarëve të opozitës. Në funksion të grabitjes dhe propagandës për mbajtjen e pushtetit, Erion Veliaj ka vënë edhe buxhetin e qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Spaho.

Sipas tij, vetëm 14 milionë dollarë ka shpenzuar Erion Veliaj për shtrimin e rrugëve, trotuarëve, ndriçimin e lagjeve, për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe për infrastrukturën në tërësi të qytetit, e cila është në një gjendje të mjerueshme.

Ai pyet se ku shkon pjesa më e madhe e taksave të qytetarëve të Tiranës?

Në këtë linjë vijoi duke thënë se të dhënat zyrtare të buxhetit të bashkisë tregojnë se 48 milionë dollarë përdoren për rrogat e punonjësve të bashkisë së Tiranës, e cila rezulton të jetë një nga institucionet me administratën më të fryrë.

Spaho shton se janë rreth 7 mijë njerëz që punojnë për Erion Veliajn, që do të thotë sipas tij, se që kur mori pushtetin e ka dyfishuar numrin e rrogëtarëve të paguar me taksat e qytetarëve.

Për të, është e qartë se kjo është një armatë elektorale, që mbahet me taksat e qytetarëve, por nuk punon për përmirësimin e jetës në qytet, sepse ky nuk është prioriteti i Erion Velisë.

“Erion Veliaj ka shpenzuar 5 milionë dollarë në vit vetëm për koncerte dhe reklama në funskion të propagandës, ndërsa faktet flasin për mbi 400 leje ndërtimi brenda 1 viti. Kjo do të thotë se erion veliaj ka dhënë më shumë se 1 leje ndërtimi në ditë, duke e shndërruar Tiranën në lavatriçën më të madhe të parave të pista në Ballkan. Vetëm nga lejet e ndërtimit, bashkia ka marrë 54 milionë dollarë, por për qytetin ka shpenzuar vetëm 14 milionë dollarë”, tha ndër të tjera këshilltari bashkiak.

Spaho vijoi duke thënë se Erion Veliaj është kampion i gjobëvënies së qytetarëve dhe se vetëm në një vit ka raportuar në buxhet 4 milionë dollarë gjoba, ndërsa nga pagesat e parkimeve 4.5 milionë të tjera.

“Me 8.5 milionë dollarë, problemi parkimeve në Tiranë duhet të ishte zgjidhur, por, në fakt, ka ndodhur e kundërta. Parkimi në Tiranë është kthyer në një makth. Kryebashkiaku, që gjeti gati projektin e Bulevardit të Ri dhe të Pazarit të Ri, nuk ka në bilancin e tij një vepër madhore në shërbim të qytetit. Sheshi Skënderbej është vepra e tij e korrupsionit 22 milionë euro, të cilin po e rrethon nga kryeveprat e tjera të korrupsionit dhe pastrimit te parave, kullat e betonit”, deklaroi Mateo Spaho.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se qytetarët e Tiranës nuk e meritojnë një kryebashkiak si Erion Veliaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat