Shpërthejnë studentët në Elbasan dhe Shkodër, hidhet bojë mbi rektorin Bekteshi

Shqipëria

Shpërthejnë studentët në Elbasan dhe Shkodër, hidhet bojë mbi rektorin Bekteshi

Më: 11 maj 2019 Në ora: 09:57
Ilustrim

Studentet u rikthehen protestave kundër sistemit. Në Elbasan të rinjtë protestojnë për dështimin e “Paktit” dhe mos përfaqësimin e tyre në bordin e administrimit. Në Shkodër qëllojnë me bojë rektorin Adem Bekteshi. Pranvera Paçi: Na ka kërcënuar vazhdimisht, donte të më përjashtonte nga shkolla padrejtësisht

Studentët e rretheve u janë kthyer sërish protestave, me motivin se “Pakti për Universitetin “, nuk ka plotësuar kërkesat e tyre. Në orët e para të ditës së djeshme, të rinjtë e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, kanë protestuar për rreth një orë, duke u shprehur se ka qenë vetëm një kandidat për t’u votuar në Bordin e Administrimit. Sipas tyre, nuk ka pasur kandidatë për të përfaqësuar zërin e tyre. Melta Beqja, studente e vitit të dytë në këtë universitet, thotë për “Shekulli”-n se ndihen shumë të zhgënjyer nga “Pakti” dhe manovrat që po bëhen në përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit. “Nëse në dhjetor kishim disa arsye të forta për të protestuar, tanimë të gjitha këto janë dyfishuar. Si fillim, “Pakti”, i përfolur aq shumë dhe aq gjatë në media, ka qenë vetëm një show, për sytë e publikut. 8 pika puls 2 të ofruara nga vetë kryeministri, nuk janë plotësuar, pasi nuk janë zgjedhur mekanizmat e duhura për t’i realizuar ato”, thotë ajo.

Bordet

Studentja thotë se janë manipuluar të gjitha procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve në Bordin e Administrimit në këtë universitet. “Sa i takon përfaqësuesve në bordin e administrimit, është shumë e rëndësishme për ne dhe e kemi kërkuar me insistim herë pas here. Çdo gjë është duke u manipuluar. Nuk ka kandidatë për të na përfaqësuar. Në Bordin e Administrimit, ka dalë vetëm një kandidat, i cili nuk është propozuar nga ne, por nga struktura të brendshme. Thonë se është pjesë e Partisë Socialiste, por ne nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për të”, thotë studentja. Më tej shton, se do të nisë koordinimi edhe me universitetet e tjera publike për të rinisur edhe njëherë protestat deri në plotësimin e të gjitha pikave të përpiluara në dhjetor. “Universiteti i Korçës ka nisur. Kemi folur edhe me studentët e fakultetit të Drejtësisë, drejt asaj rruge janë edhe ata. Duke filluar nga e hëna, protestat do të jenë më masive dhe më të përhapura”, përfundoi studentja.

Shpërthejnë edhe studentët e Shkodrës

Revoltat dhe shpërthimi i studentëve ka nisur edhe në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Mbledhja e komisionit të etikës, ku rektori Adem Bekteshi, do të jepte masat ndëshkimore, për të rinjtë të cilët thyen derën e fakulteti të Drejtësisë pak javë më parë, është shoqëruar me përplasje. Studentja Pranvera Paçi, ka shkuar edhe me tej me revoltën e saj ndaj rektorit, duke i hedhur bojë në kokë dhe më pas është larguar nga mbledhja. Ajo tha për “Shekulli”-n se është provokuar nga Bekteshi. Në fjalën e saj, studentja sqaron se rektori i ka thënë se do ta përjashtojë nga universiteti. Sipas saj, ky vendim nuk ka qenë i drejtë, duke qenë se nuk ishte e vetme në protestat e organizuara disa javë më parë. Po ashtu, ajo ka thotë se derën e thyer, studentët e zëvendësuan me një të re dhe se leket i kanë paguar nga xhepi i tyre.

Incidenti

Studentja sqaron edhe momentin e incidentit dhe se rektori nuk ka pasur asnjë reagim. “Nuk veprova kot sepse aty ishte mbledhur komisioni për përjashtim nga shkolla të disa studentëve të protestës dhe vetmja që kishte mbetur jashtë, isha unë. I kërkova që të më lejonin të hyja dhe unë brenda, por rektori nuk pranoi. Më pas hyra edhe unë me shumë debate në këtë mbledhje. Rektori tha që kishte rënë dakord me studentët e tjerë për përjashtim tim. Kjo gjë nuk m’u duk normale dhe veprova në mënyrë të tillë ”, thotë ajo. Më t ej shton se studentët janë të indinjuar me rektorin Adem Bekteshi dhe se nuk mund të vazhdojnë më me një drejtues të tillë. “Ne nuk mund të vazhdojmë më me një drejtues të tillë. Ai na ka kërcënuar shpesh herë se përse protestojmë. Ne jemi të lirë të bëjmë çfarë të duam”, tha ajo. Paçi bën me dije, se kjo është edhe një arsye më shumë për të rinisur protesta masive në universitetin e Shkodrës. “Unë jam pjesë e Këshillit Studentor dhe jemi duke u përgatitur për të rinisur protestat edhe më fuqishëm. Deri më tani, nuk kemi ndjerë asnjë përfitim. Veprimet tona, mund të duken jo normale, por në këto kushte, nuk mund të vazhdojmë të jemi pjesë e auditorëve. Më mirë të protestojmë në rrugë deri në fitimin e të drejtave tona. Askush nuk mund të tallet me dinjitetin e studentit”, përfundoi ajo. Nga ana tjetër, rektori i universiteti të Shkodrës, Adem Bekteshi, nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me incidentin dhe përplasjen që ka pasur me të rinjtë.

Thyerja e derës

Kujtojmë që pak javë më parë, studentët protestuan në shenjë mos plotësimi të kërkesave të tyre, duke thyer me gurë derën e fakultetit të Drejtësisë. Të rinj nga fakultetet e Ekonomikut dhe të Drejtësisë, pas bojkotit të mësimit për më shumë se 5 orë, përshkallëzuan protestën e tyre, duke thyer derën kryesore të godinës së re. Mosvënia në funksion e godinës së re për këta studentë, të cilëve i ishte premtuar që prej janarit nga rektori i universitetit të Shkodrës, Adem Bekteshi, i bëri ata të veprojnë në mënyrë të tillë. Sipas të rinjve, ka qenë rektori i cili ka firmosur për hapjen e kësaj godine në fillim të semestrit të dytë, gjë e cila nuk ka ndodhur. Studentët thonë për “Shekullin”-n se e kishin paralajmëruar rektorin, nëse nuk do të ndodhte hapja e godinës së re, do të nisnin sërish protestat. Sipas tyre, ky paralajmërim nuk është marrë në konsideratë, duke bërë që ata të ringrihen sërish.

Mos plotësimi i pikave

Gjatë protestave studentore, të rinjtë e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, hartuan 10 pika për rektoratin. “Heqjen 50 % të mungesave si kusht nga rregullorja e studimeve në USH. 2. Heqjen e mungesave krejtësisht për vitin akademik 2018-2019. 3. Ulja e numrit të pikëve kredite për vitin e dytë Bachelor dhe për vitin e parë master nga 30 pikë në 25 pikë. 4. Zbritja në 50% e tarifës vjetore për studimin e nivelit të dytë master. 5. Barazimi i tarifës për studentët që ndjekin programin e dytë të studimeve, me tarifën e studentëve të programit të parë bachelor në USH. 6. Shpalljen për zgjedhje të reja për Këshillin Studentor në të gjithë universitetin. 7. Pagesat për praktikat dhe ekspeditat të bëhen nga fondi i universiteti në masën 50% të shpenzimeve. 8. Të shtohet mundësia në rregulloren e USH për përmirësimin e notave për studentët për tre lëndë, për tre vitet, në sezonin e fundit të vitit të tretë. 9. Vënia në efiçencë e godinës së re për studentët jo më vonë se dy javë nga mbyllja e protestës së studentëve. 10. Rregullimi dhe funksionimi i përditshëm i sistemit të ngrohjes në çdo godinë të universitetit, duke filluar një orë para fillimit të orarit mësimor dhe duke e mbyllur një orë para mbarimit të orarit mësimor”. Këto kërkesa janë premtuar me firmë të Senatit dhe rektoratit se do të realizoheshin, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat