Ministrja Gjonaj: Pesë arsye pse dekreti i Metës është i pavlefshëm

Shqipëria

Ministrja Gjonaj: Pesë arsye pse dekreti i Metës është i pavlefshëm

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 18:47
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa ka folur për situatën politike në vend, tha se rastit të pa precedentë të djegies së mandateve nga opozita, tashme iu shtua edhe akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve, veprim i cili, sipas ministres nuk e  përmirësoi situatën

E ftuar sot në rubrikën “Opinion”, në studion e lajmeve në “News 24”, Gjonaj tha se dekreti i presidentit është akt i pavlefshëm juridikisht.

“Situata politike ku ndodhemi është e paprecedentë, vetë djegia e mandateve përbën një precedent të padëgjuar më parë, ndërsa tani këtij precedenti iu shtua edhe një tjetër që nuk e përmirësoi situatën: Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve. Në konsideratat e mia dekreti i tij është akt absolutisht i pavlefshëm juridikisht”,- tha ministrja.

Gjonaj shpjegoi juridikisht, arsyet se pse ky akt i Presidentit Meta, sipas saj, është i pavlefshëm juridikisht.

“E para-Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta çdekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj. të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta çdekretojë këtë akt me një akt të dytë.

E dyta-Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese.

E treta- Akti i tij është antikushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit.

E katërta- Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht. Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta të thotë një akt tjetër.

E pesta- Po ashtu me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur”,- sqaroi Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat