A po bën gati “kurban” Edi Rama?! Pas skandalit me Rrugën e Arbrit diçka e madhe po “zien”

Shqipëria

A po bën gati “kurban” Edi Rama?! Pas skandalit me Rrugën e Arbrit diçka e madhe po “zien”

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Historia e tenderit të anuluar të rrugës Kardhiq-Delvinë rrezikon të shkaktojë një tjetër ‘tërmet’ në vend. Mediat publikojnë aferën e ndërlidhur me këtë tender. Në qendër është kompania që po ndërton Rrugën e Arbrit. A do bëhet kurban drejtuesja e ARRSH?

Pak pasi u raportua se Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit që të tërhiqen nga miratimi i koncesioneve për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat, me argumentimin se shteti do të paguajë 10 mln euro interesa fiktivë për dy rrugët, koncesionet prodhojnë sërish skandal.

Ai ka dalë në dritë gjatë përpjekjeve për të fituar tenderin tashmë të anuluar të rrugës Kardhiq-Delvine loti 7. Sipas Neës24, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka bërë verifikimet e nevojshme për pjesëmarrësit në procedurën e prokurimit për rrugën Kardhiq-Delvinë, ndër të cilët ka qenë edhe kompania “Gjoka Konstruksion”, që po ndërton Rrugën e Arbrit.

Sipas ARRSH-së, kjo kompani për të dëshmuar plotësimin e një kriteri për kualifikim, atë të eksperiencës për punë të ngjashme, ka paraqitur dokumentacion që përmban informacion të rremë, lidhur me ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”. Për këtë arsye, në datën 12 shtator, ARRSH i ka kërkuar agjencisë së prokurimit publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”. Konkretisht sipas raportit të ARRSH mbi verifikimin e punimeve në nënkontratën me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e “Rrugës së Arbrit” faza e parë, segmenti numër 3 Zall Bastar -dalje Ura e Vashës”, punimet e marra përsipër nga operatori “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës.

Ka zëra punimesh që janë paraqitur si të përfunduara por që në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma. Inspektimi i kryer është realizuar pas një periudhe gati tremujore nga data e kolaudimit, çka do të thotë se kompania është paguar nga thesari i shtetit për këto punime.

Por grupi i punës i ngritur nga ARRSH doli në përfundimin se asnjë nga tunelet e “Rrugës së Arbrit” nuk ka përfunduar dhe nuk plotëson parametrat dhe standardet e kërkuara. Punimet e pakryera konsistojnë kryesisht në ndërtim drenazhi, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.

“Gjoka Konstruksion” ka marrë me koncesion ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” për 225 milionë euro. Kompania duhet të siguroje paratë, të ndërtojë rrugën dhe më pas shteti e paguan, por në pamundësi për të gjetur pagesat ka falsifikuar dokumentet dhe ka marrë gati 70 miliardë lekë nga thesari i shtetit për punë të papërfunduara.

Sipas ligjit, në çdo rast kur vërehen paraqitje të të dhënave të rreme është detyrim taksativ i autoritetit kontraktor të skualifikojë operatorin që i ka paraqitur ato të dhëna dhe të nisë procedurën e përjashtimit nga pjesëmarrja në prokurimet publike.

Prapaskenat e skandalit, a rrezikon Sonila Qato?

Gazeta Mapo ka mësuar nga burime serioze qeveritare se problemet e mëdha që kanë dalë me tenderin e tunelit Kardhiq-Delvinë mund t’i kushtojnë karrigen Drejtoreshës së Rrugëve, Sonila Qato.

Shefja e Autoritetit Rrugor, ka konstatuar shkelje në dokumentacionin e kompanive pretendente shqiptare për ta marrë këtë pjesë të rrugës, në vlerë siç besohet diku 27 miliardë lekë. Me gjithë trysninë e ushtruar nga kompanitë dhe lidhjet e tyre me pushtetin, Qato me sa duket ka bërë rezistencë dhe është ankuar tek eprorët se rasti është i ngjashëm me skandalin e tenderit të Unazës së Re.

Qato nuk ka pranuar të firmosë e të shpallë fituesin e paracaktuar, tregojnë për Mapo, burime qeveritare. Ajo e ka organizuar procedurën më tej sipas rregullit, ku fituese ka dalë një kompani italiane.

Qeveria reagoi menjëherë duke anuluar tenderin dhe punimet me motivin se nuk ka para dhe se ka investime të tjera më prioritare.

Të njëjtat burime, thonë për gazetën Mapo, se kjo mund t’i shkaktojë probleme Qatos, dhe pritet që ajo të zëvendësohet. Një variant është që largimi i saj mund të bëhet menjëherë me nisjen e javës, ndërsa përflitet edhe emri pasues. Burime të besueshme bëjnë me dije se një nga kandidatet potenciale për të qenë drejtoresha e re e Rrugëve, është dikush që ka pasur vazhdimisht detyra të rëndësishme me Ramën, qysh se ai ishte kryetar bashkie.

Ndërkohë, ekzistencën e problemeve të forta me këtë tender e konfirmon lajmi që doli pasdite të dielën në disa media, ku mësohet se ARRSH ka një raport të auditit, ku rezulton se ata kanë konstatuar probleme në dokumentacionin e kompanisë Gjoka Konstruksion, që ishte dhe firma pretendente për të marrë tunelin e Kardhiqit. Publikimi i këtij lajmi vërteton se diçka po zien, dhe përmasat e kësaj çështjeje mund të jenë edhe më të mëdha, çka me siguri do të mësohen në ditët në vijim.

Abuzimi bëhet rrugë…, KLSH: 10 milionë euro dëm për dy PPP

Ndërsa Parlamenti i vuri kapakun pas një votimi plot debate për dy rrugët me koncesion Milot-Balldre dhe Orikum Dukat, me një vlerë totale prej 366 milionë eurosh, edhe Kontrolli i Lartë i shtetit ka konstatuar shkelje të rënda. T.Ch publikon një shkresë konfidenciale, që KLSH i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku ku i kërkon rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare. “Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtetësisë së anës financiare”-thuhet në ekstraktin e raportit. KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do u paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktivë, për hua që nuk ekzistojnë. “Vetëm për kontratën e Milot-Balldre, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme. Janë 6.1 milionë euro, që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit”. Sipas KLSH, interesa fiktivë do të paguhen edhe për rrugën tjetër Orikum-Dukat, ku ka llogaritje gabim të interesave, por edhe marrje të panevojshme kredie. “Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshëm, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit”. Pra, në total për të dy rrugët, sipas KLSH-së qeveria do të paguajë gati 10 milionë euro interesa fiktivë.

Për qeverinë duket se kjo çështje është fakt i kryer, për aq kohë sa më procedurë të përshpejtuar ku dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat kaluan në seancën e fundit të sesionit të kaluar Parlamentar. Kreu i shtetit e ktheu pas ligjin për koncesionet, por në seancën e fundit të së enjtes së kaluar Parlamenti rrëzoi dekretin e Metës, duke i dhënë përfundimisht në aspektin ligjor këto dy kontrata me vlerë të lartë. Opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe një grup oligarkësh për këtë aferë që sipas saj do rëndojë xhepat e shqiptarëve. Kryedemokrati Basha doli në një konferencë shtypi duke iu drejtuar deputetëve se kushdo që do votojë për këto dy koncesione abuzive do të jetë pjesë e ligjit antimafie në të ardhmen. Gjithashtu PD zyrtarisht u dërgoi një letër dy kompanive të shpallura fituese dhe bankave të nivelit të dytë që të mos bëhen pjesë e kësaj afere, pasi do të përballen me pasoja ligjore. Nga ana tjetër koncesionet si “mënyrë investimesh” janë kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë konferencës së përbashkët të mbajtur në Ministrinë e Financave në nëntor të vitit të kaluar shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Jan Kees Martijn këshilloi qeverinë për nxitjen e një procesi me oferta konkurruese, duke mos pranuar më propozime të pakërkuara për PPP-të.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një mesazh publik të dhënë përmes rrjeteve sociale në “përkujtim” të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë ka veçuar edhe koncesionet ose PPP-të si formë të përhapur abuzimi të pushtetit. “Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”, shkruan Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat