“Drejtësia mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, Rama paralajmëron prokurorin e Durrësit: S’do i shpëtojë ndëshkimit

Shqipëria

“Drejtësia mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, Rama paralajmëron prokurorin e Durrësit: S’do i shpëtojë ndëshkimit

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 12:41
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë takimit të bashkëqeverisjes se prokurori Arjan Ndoja në Durrës të cilin e ka akuzuar se punon për organizatat kriminale dhe se u bën shantazh nëpunësve të shtetit herët apo vonë do të dalë para drejtësisë për të dhënë llogari për gjithçka ka bërë.

“Deri tani kemi pasur 45326 ankesa në portal, nga të cilat 44224 kanë marrë përgjigje, ndërsa një mijë janë në proces çka tregon se kemi arritur që të garantojmë respektin e shtetit për qytetarët të cilët nuk e hedhin fjalën në erë apo nuk e lëshojnë ankesën në drejtim të paditur, por kur na adresohen marrin përgjigje. 30 mijë e 427 ankesa kanë marrë përgjigje pozitive, rastet e tjera janë kur ndodh shpesh që qytetarët janë të dëshpëruar nga sistemi i drejtësisë, po aty nuk kemi mundësi.

Ju e patë vetë javën e kaluar një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe jo vetëm por edhe i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë të përfaqësues të interesave të krimit ku sigurisht nuk do i shpëtojë ndëshkimit, por kur vjen puna te ndërhyrja në proces është e pamundur për qeverinë dhe pushtetin ekzekutiv. Se kushtetuta përcakton qartë kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon pas një padrejtësie në dyert e gjykatave. Pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm por të rëndë për qytetarët, pasi shumë prokurorë dhe gjykatës të zhytur deri në fund dhe e dinë se nuk do e kalojnë po e shfrytëzojë duke thënë ‘të kapim cfarë të kapim’. Sistemi i ri i drejtësisë kërkon kohë, ndërsa vettingu do ta pastrojë dhe sistemi do të ndëshkojnë ata që janë nxjerrë.

Më vjen mirë që është kthyer në kusht nga BE dhe të jenë të sigurt që do të rikthehen për të dhënë llogari për pasuritë e tyre dhe ata që bëjnë krime ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë për të marrë ‘rroga’, shpërblime nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë edhe ca, por nuk do të harrojë. Ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore falë hetimeve administrative nga platforma. 46 masa në proces për nëpunës, shefa apo drejtues zyrash. Atyre që i bien shkurt dhe thonë se kështu duhet të funksionojë shteti duke shkuar deri te qeveria, u them se kështu funksionon kudo edhe në shtetet më të zhvilluara” tha Edi Rama.

Pa e përmendur me emër, deklaratën e fortë se një prokuror në Durrës mbështet organizatat kriminale kryeministri Edi Rama e bëri ditën e enjte në Kuvend. Ndërkohë që Erjon Braçe zbuloi emrin, duke thënë se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, që u la në burg mbështet një grup kriminal në Durrës. Edhe Braçe nuk e përmendi emrin, por prokurori i çështjes në fjalë, është Arjan Ndoja. 

Bundestagu gjerman miratoi disa ditë më parë 7 kushte, të cilat duhet të plotësohen nga autoritetet shqiptare, pas çeljes së negociatave, gjatë rrugës për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Një nga 7 kushtet parashikon ‘fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme”. Gjermania u referohet njerëzve të drejtësisë të shkarkuar nga detyra nga komisionet e Vetingut për pasuri të paligjshme dhe lidhje me krimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat