Dëshmia e Marsida Qatjas në polici: Djalin e vura në gjumë në divan, vetë po pija kokainë

Shqipëria

Dëshmia e Marsida Qatjas në polici: Djalin e vura në gjumë në divan, vetë po pija kokainë

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 18:04
Marsida Qatjas

Këtë të premte prokuroria ka kërkuar shoqërimin e Marsida Qatjas pasi dëshmitë e saj në media dhe ato të dhëna për policinë dukshëm janë kontradiktore.

Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht dëshminë e plotë që Marsida Qatja ka dhënë para Oficerit Gjyqësor ku rrëfen gjithçka ndodhi brenda apartamentit të saj të enjten pas mesnate. 30-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, thotë se Dritan Haxholli, që mbeti i vdekur, e ka ngacmuar vazhdimisht dhe se muajin e fundit i shkonte cdo natë poshtë shtëpisë dhe i kërkonte të kryente marrëdhënie intime me të.

“Pavarësisht insistimit të Dritanit, unë e kam refuzuar atë. Kohët e fundit, prej rreth një muaji, Dritani është bërë më shumë i bezdisur ndaj meje, duke më ngacmuar gjithmonë. Dritani pothuajse përditë, rreth orës 23:00 ka ardhur pranë banesës sime duke këmbëngulur që të më takonte dhe që unë ta pranoja atë”, tregon Qatja, teksa shton se më tej ka njoftuar Bledar Toçin, shef i sigurisë në burgun e Durrësit i cili edhe pse mbeti i plagosur me një plumb në qafë nga Haxholli, është në masë arresti për vrasjen e 41-vjeçarit.

“Pasi e mësoi këtë fakt, Bledari më tha: “Pse nuk më ke thënë më parë, se këtë punë e rregulloj unë” dhe u shpreh duke thënë se sonte do të rrinte vërdallë afër shtëpisë sime. Rreth orës 22:30 Bledari ka ardhur te shtëpia ime, u fut brenda në shtëpi, qëndroi në shtëpi së bashku me mua për rreth 15 minuta dhe doli nga shtëpia dhe më tha “mos u mërzit se do të kthehem përsëri. Desha të theksoj se në momentet që te shtëpia ime ka ardhur Bledari, së bashku me mua në shtëpinë time ka qenë edhe Xhuljo Biturku, të cilin e kam fqinj dhe rri thuajse çdo ditë me mua. Pas pak çastesh që unë isha duke ndenjur në shtëpi së bashku me Bledarin dhe me Xhuljon, te dritarja ka ardhur Dritani, i cili ka goditur dritaren e kuzhinës me tytën e një automatiku që kishte me vete. Në këto momente unë kam ndërhyrë duke folur nga brenda shtëpisë sime dhe i kam thënë Tanit: “Mos bërtit, por hajde brenda”. Në këtë moment Dritani është përgjigjur duke thënë: “Ok, hape derën se po vij”, thotë ajo, teksa shton se Haxholli ka ardhur lart dhe ka thënë: “O Bledar Toçi edhe ti qenke këtu” dhe menjëherë ka qëlluar me automatikun që kishte me vete Bledarin, duke e plagosur atë në pjesën e sipërme të trupit, i cili ka qenë i ulur në karrige”.

Marsida Qatja ka deklaruar në polici se në këtë skenë të përgjakshme ka qenë i pranishëm edhe djali i saj 2 vjeçar të cilin po e vinte në gjumë në divan.

“Pasi e qëlloi për së dyti Bledarin, Dritani u drejtua te djali im i vogël, të cilin unë isha duke e vënë në gjumë në divan dhe u shpreh duke m’u drejtuar mua e duke thënë: “Do të vras edhe djalin tënd”. Dritani e kishte drejtuar automatikun nga djali im dhe në këto momente Bledari ka qëlluar në drejtim të Dritanit me pistoletë. Menjëherë, nga këto të shtëna, Dritani ka rënë në tokë, ku edhe gjeti vdekjen. Pas këtij momenti Bledari ka dalë jashtë dhe më tha: “Po iki për në spital”. Ndërsa unë qëndrova në shtëpi së bashku me Xhuljon, ndërkohë që Dritani kishte vdekur brenda shtëpisë sime. Pasi është larguar Bledari, edhe unë me Xhuljon kemi dalë nga shtëpia në rrugë dhe unë me telefonin tim kam njoftuar policinë“, ka dëshmuar ajo.

Në dëshminë e saj ajo pranon se është përdoruese e lëndëve narkotike, dhe se atë natë kur ndodhi ngjarja ka pirë kokainë me Xhuljon, por nga ana tjetër thotë se Bledar Toçi nuk ka konsumuar drogë. “Lëndën narkotike që kam përdorur unë sot nuk e kam blerë unë, unë e kam përdorur atë kur pashë që Xhuljo e kishte vendosur në pjatë“, thotë ajo./Burimi: Shqiptarja.com (Elton Qyno)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat