Mungesa e stabilitetit politik tremb sistemin bankar

Shqipëria

Mungesa e stabilitetit politik tremb sistemin bankar

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 17:20
Banka

Sipas vrojtimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, mungesa e stabilitetit politik është shqetësimi kryesor i sistemit bankar në vend gjatë këtij viti.

Perceptimi i industrisë bankare lidhur me rreziqet kryesore sistemike në vend gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, mbetet i fokusuar tek rreziku politik dhe ai lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit. Tensionet politike duket se kanë rritur shqetësimin e industrisë bankare mbi efektin e tyre ndaj klimës së biznesit, investimeve dhe ecurisë së ardhshme ekonomike të vendit.  Ky shqetësim është reflektuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të vlerësimit për rrezikun politik dhe rritjen e rrezikut të përkeqësimit të ekonomisë së brendshme nga niveli “mesatar” në nivelin “i lartë”.

Perceptimi për ecurinë e faktorëve të tjerë të rrezikut, tregon përgjithësisht rënie të rreziqeve. Këto të dhëna dëshmojnë se, ndërkohë që parametrat e lidhura direkt me ecurinë e tregut financiar shfaqen të përmirësuara, janë faktorët e jashtëm ata që, në këndvështrimin e bankave, përbëjnë kërcënimin kryesor për stabilitetin e sistemit.

Gjendja e sistemit bankar këtë vit është në përmirësim të mëtejshëm. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin më të ulët në një dekadë, portofoli i kredisë i është kthyer rritjes, performanca financiare është pozitive, ndërsa treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit janë ndjeshëm sipër kërkesave rregullatore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat