Valter Haliti krah Rudina Hajdarit, tërheq firmën për shkarkimin e saj

Shqipëria

Valter Haliti krah Rudina Hajdarit, tërheq firmën për shkarkimin e saj

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 20:34
Valter Haliti

Valter Haliti është deputeti, që ka dalë kundër vendimit të grupit parlamentar Demokrat për shkarkimin nga detyra të Rudina Hajdarit dhe emërimin në vend të saj të Korab Litës.

Ndonëse më parë kishte dhënë firmën për shkarkimin e Hajdarit, në një letër dërguar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Haliti kërkon tërheqjen e firmës.

Sipas Halitit një vendim për zëvendësimin e Rudina Hajdarit nuk është marrë dhe nëse ky vendim do të zbatohet ai  dhe pjesëtarë të tjerë do të lragohen nga grupi.

“Një vendim lidhur me zëvendësimin e kryesisë së grupit nuk është marrë. Në rast se ky vendim qëndron, atëherë unë deklaroj largimin nga grupi sëbashku me disa kolegë të tjerë. Në këtë rast grupi do pushonte së ekzistuari”, - informon Haliti në letrën dërguar Ruçit.

Ndërsa në një postim në facebook, Haliti ka pranuar se brenda grupit ka debat konstruktiv, ndërsa njoftimin e Korab Litës e ka quajtur asgjë më shumë sesa një postim rrjetesh sociale. Sipas tij parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa dhe jo me statuse facebook-u.

Njoftimi i plotë:

Në gojë të të marrit gjejmë farën e kryelartësisë, thoshte nënokja ime, por të urtët e ruajnë gjithmonë gjuhën.

Por të marrin s’ke nga ta kapësh, është i paparashikueshëm! Ti e hekuros në një krahë, ai të rrudhoset në krahë tjetër.

I marri bëhet kryetar vendi, kont, dukë, pse jo edhe mbret... vetëm për pak sekonda, derisa mbreti del cullak.

Gjithsesi në sqarim të opinionit publik, marrë përgjegjësinë si nënkryetar i grupit parlamentar të deklaroj, se ne kryetar të marrë nuk kemi, e as që do të kemi ndonjëherë.

E nëse ky vendim nuk u pëlqen të marrëve, që gjejnë lloj lloj metodash për tu faktorizuar për disa minuta, me lumturimë të thellë u them, se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të grupit parlamentar.

Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në "dobi" të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë.

Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.

Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan.

Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat