Frrok Çupi: Ja ministri që duhet larguar pas dështimit të negociatave

Shqipëria

Frrok Çupi: Ja ministri që duhet larguar pas dështimit të negociatave

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 18:53
Frrok Çupi

Për gazetarin dhe analistin Frrok Çupi, Gent Cakaj duhet të mbahet të paktën moralisht përgjegjës nëse Shqipërisë nuk i hapen nesër negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. I ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, Çupi tha Qeveria është në çdo rast përgjegjëse për dështimin dhe se nuk ka më vlerë që Cakaj të qëndrojë në pozicionin e ministrit të Jashtëm në detyrë.

“Qeveria është gjithnjë përgjegjëse. Ministri i Jashtëm mund të mos jetë më ministër i Jashtëm pasnesër sepse nuk ka vlerë më. Moralisht nuk duhet. Nëse do të kemi përgjigje negative, nuk duhet të ketë turbullira. Nuk duhet të gëzohet kush nga “Jo”-ja”, u shpreh Çupi.

Frrok Çupi kritikoi edhe sjelljen e Emmanuel Macron, president i Francës, i cili, sipas tij, po i shërben Rusisë, Kinës dhe Turqisë me vendimin për të bllokuar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një komb që e meriton qënien në Evropë, është një komb që ka vuajtur për Evropën. Për BE-në do të ishte e ndershme sikur të pranonte vetëm kërkesën zyrtare të shqiptarëve për të qenë anëtarë.

Për herë të parë në histori ne i kemi patur me vete fqinjët tanë. Kjo tregon se fqinjët tanë kanë frikë nga Moska, kanë frikë nga Lindja.

Macron duhet ta di se duke mos pranuar Ballkanin në BE, në njëjtën kohë ka bërë një shërbim shumë të madh ndaj Moskës, Pekinit dhe Ankarasë. Nga ana tjetër, Franca po godet boshtin e BE-së. Jemi duke gjykuar pse këto zona po tentohet me çdo kusht për të mbetur jashtë BE-së.

Fakti që 200-500 veta shkojnë atje dhe kërkojnë punë, nuk është goditje për Francën, siç tha ai. Macron ka kaluar nga një arsyetim në një arsyetim tjetër. Nuk ka arsye për të riformatuar BE-në dhe të pritet për të zgjerimin. Franca e Macron po tregohet e padrejtë edhe në raport me fuqitë e tjera dhe BE-në”, tha Çupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat