Gjykata pushoi çështjen CEZ, Balla: Gjyqtar “KÇK”, vendimi do ankimohet menjëherë - Bota Sot
Gjykata pushoi çështjen CEZ, Balla: Gjyqtar “KÇK”, vendimi do ankimohet menjëherë

Shqipëria

Gjykata pushoi çështjen CEZ, Balla: Gjyqtar “KÇK”, vendimi do ankimohet menjëherë

Më: 24 janar 2020 Në ora: 18:43
Ilustrim

Kryetari i grupit parlamentar të PS ka reaguar pas pushimit të çështjes për privatizimin e CEZ. Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Balla ka sulmuar ashpër gjyqtarin e çështjes, Lazër Sallaku, duke e futur në grupin e ‘KÇK’-së, ‘Kap Ça të kapësh’. Ai tha se është i njëjti gjyqtar që pushoi edhe akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha për çështjen e falsifikimit të dokumentave.

Balla njoftoi se do të ankimojë vendimin dhe paralelisht gjetjet e Komisionit Hetimor do t’i dërgohen  javën e ardhshme Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar (SPAK).

Sipas Ballës, ‘ÇEZ’ është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinosaurëve të korrupsionit. 

Taulant Balla ka publikuar një pjesë të raportit të Komisionit Hetimor për këtë çështje.

Reagimi i Taulant Ballës

Siç  kishim paralajmëruar, i njëjti gjyqtar “KÇK” i cili në mënyrë  skandaloze rrëzoi akuzat për Lulzim Bashën “675 mijë dollarë”, sot mori  një vendim haptazi në kundërshtim me ligjjn në lidhje me dosjen “CEZ-418  milionë Euro”, ku i akuzuari kryesor është Sali Berisha në bashkëpunim  me persona të tjerë.

 Ky vendim i paligjshëm do të ankimohet  menjëherë dhe paralelisht gjetjet e Komisionit Hetimor do t’i dërgohen  javën e ardhshme Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar (SPAK).

 Kjo është një ndër dosjet më të rënda të  korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie  ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për  hetimin e dinosaurëve të korrupsionit.

 Në kallzimin e bërë nga  Kuvendi i Shqipërisë ishin paraqitur fakte dhe prova të  pakundërshtueshme se Sali Berisha në cilësinë e Kryeministrit në vitet  2005-2013 bashkë me persona të tjerë të kallzuar prej nesh, shpeshherë  edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e   veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”,  “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione  publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto  të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal.

  Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr.36 ka miratuar raportin e  Komisionit Hetimor Parlamentar  dhe dërgimin e këtij raporti në  Prokurori  për fillimin e çështjes penale.

 Komisioni  Hetimor i  Kuvendit, pati arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë  të  shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona  që  ushtronin funksionet më të larta publike  me veprime  aktive  dhe  mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave  të  kundraligjshme gjatë procedurave të privatizimit  të Operatorit të  Sistemit të Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së  shitjes së  aksioneve, miratuar me ligjin 10116 datë 23.04.2009”Për miratimin e  kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të  Shpërndarjes (OSSH) sh.a  ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe  Energjitikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ  a.s-së, si edhe   evidentimin e  efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e  zbatimi i kësaj marrëveshje “

 Çështja  hetimore nr.7340/2017 e  Prokurorisë, lidhet me  hetimin e “ shpërdorimin e detyrës “të  funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar që kanë  ndjekur  procedurat  për privatizimin e  Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes  OSSH sh.a   si dhe atë të “ ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që  ushtrojnë funksione publike  “ dhe’ pastrimit të produkteve të veprës  penale” parashikuar nga nenet 248, 245/1 dhe 287 të Kodit Penal.

  Në nenin 75  të Kodit të Procedurës Penale shkronja” a “  vepra penale   “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm  ndaj personave që ushtrojnë  funksione  publike “ parashikuar nga neni 245/1   është  vepër penale në  kompetencë të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

  Vepra penale  e ”shpërdorimit të detyrës” për të cilën  Kuvendi ka   depozituar kallëzimin në prokurori nga ish funksionare  sipas  shkronjës  “ç“ të nenin 75 të Kodit të Procedurës Penale  është në kompetencë të  Gjykatës Kundër Korrupsionit  dhe Krimit të Organizuar.

 Më datë  19.12.2019, ka filluar funksionimin Gjykata Kundër Korrupsionit dhe  Krimit të Organizuar, e cila ka kompetencën për  të gjykuar funksionarët  e lartë  apo veprat penale për të cilën  është depozituar kallëzimi   penal  nga Kuvendi.

 Në këto rrethana i kërkuam gjyqtarit Lazër  Sallaku të shpallte menjëherë moskompetencën  të Gjykatës së Rrethit  Gjyqësor Tiranë dhe kalimin e kësaj çështje në Gjykatën Kundër  Korrupsionit  dhe Krimit të Organizuar.

 Por sot ky gjyqtar në një  vendim hapatazi në kundërshtim me ligjin vendosi shqyrtimin e një  çështje jashtë kompetencës së tij lëndore.

 Gjithashtu dua të  sqaroj opinionin publik se edhe vendimi i Prokurorisë së Tiranës për  përfundimin pa hetim të plotë të kësaj dosje dhe nxitimi për mbylljen e  saj ngre dyshime të mëdha.

 Lidhur me hetimin e paplotë të Prokurorisë së Tiranës, po parashtroj më poshtë disa sqarime:

 I. Lidhur me kallëzimin e Kuvendit të Shqipërisë  të depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme.

  Kuvendi i Shqipërisë,bazuar në Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin  8891,datë 02.05.2002”Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve  Hetimore  të Kuvendit, me vendimin nr 30/2016 ka ngritur Komision  Hetimor parlamentar me objekt “Për hetimin dhe  verifikimin e zbatimit   të legjislacionit në fuqi, mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar  gjatë procedurave të privatizimit  të Operatorit të Sistemit të  Shpërndarjes, negocim të marrëveshjes së  shitjes së aksioneve, miratuar  me ligjin 10116 datë 23.04.2009”Për miratimin e kontratës së shitjes së  76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a   ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjetikës së  Republikës së Shqipërisë dhe CEZ  a.s-së, si edhe  evidentimin e   efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj  marrëveshje “

 Komisioni Hetimor Parlamentar, administroi dhe  shqyrtoi një volum shumë të madh dokumentesh  që lidhem me   privatizimin, shitjen e 76% të aksioneve të operatorit të sistemit të  shpërndarjes OSHE sh.a  ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe  Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ  a.s-së, si edhe   evidentimin e  efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e  zbatimi i kësaj marrëveshje, pyeti dëshmitarë dhe në përfundim të   hetimit administrativ  i paraqiti Kuvendit në seancë plenare për miratim  raportin   përfundimtar  të Komisionit. Hetimor. Kuvendi, me vendimin  nr 36 ka miratuar  raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe  dërgimin e këtij raporti në Prokurori  për fillimin e çështjes penale.

 Komisioni Hetimor i Kuvendit konstatoi :

  - shkelje  të procedurave të privatizimit të OSSH-së duke mos marrë   parasysh  mbrojtjen e interesave  strategjike të shtetit shqiptar. Në  kallëzim ( raportin e Komisionit Hetimor) janë pasqyruar në mënyrë të  detajuar arsyet dhe personat përgjegjës për shkeljen e këtyre  procedurave. Detyrimi  i KESH –it  nga ana e Këshillit të Ministrave  që  energjinë për mbulimin e humbjeve t’ja shesë OSSH-së me  çmim të  rregulluar, ka ndikuar në favorizimin e paligjshëm  të ÇEZ duke  rënduar  buxhetin e shtetit  me miliona  euro.

 -   favorizimin në mënyrë të paligjshme që i është bërë CEZ-it  në njohjen e nivelit të borxhit  të keq.

  Ndryshimi i nivelit të borxhit të keq  nga 4% në 14%   një javë para   nënshkrimit të Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, ka  sjellë si  pasojë  që kompania ÇEZ të favorizohet më një kompensim  vjetor prej 70  milion  dollarë në vit , vlerë e cila  pasqyrohet  dëm në Buxhetin e  Shtetit.
Palët kanë negociuar  për nivelin e borxhit të keq edhe pse  një  gjë  e tillë nuk është i lejuar nga  kriteret e vendosura  me VKM  nr.835, datë 11.06.2008.

 -shkelje  gjatë procedurës së privatizimit në lidhje  me kushtet minimale teknike.

  Gjatë shqyrtimit të dokumenteve të tenderit, komisioni konstatoi  se  kriteret e vlerësimit  janë të pamjaftueshme,  nuk është  vendosur çmim  dysheme, Komisioni i Vlerësimit të ofertave është ngritur në kundërshtim  të hapur me  VKM-të  nr. 329 datë 12.07.1999  dhe  nr. 621 datë  25.09.1998.

 -shkelje të konstatuara nga komisioni në lidhje me garancitë bankare.

  Bazuar në Urdhrin 319, datë 6 Maj 2008 të Ministrit të METE “Për  zmadhimin e kapitalit të OSSH-së, garancia bankare  duhet të ishte   minimalisht  në vlerën prej 40milion dollarë.

 -shkelje në lidhje me  planin e biznesit të paraqitur nga ÇEZ

  Nga dokumentacioni që ka analizuar  Komisioni, rezulton së ÇEZ ka  paraqitur në ofertën e saj një dokument  të titulluar “plani paraprak i  biznesit për vitet 2009-2014”, pra  shoqëria nuk ka paraqitur  një plan  biznesi por plan paraprak në kundërshtim me  pikën 3, 5 të VKM-së nr 835  datë 11.06.2008.

 Komisioni hetimor  ka shqyrtuar  dhe ndjekjen e  detyrimeve  sipas kushteve të marrëveshjes së blerjes së aksioneve,  performacën e shoqërisë ÇEZ si dhe favorizimet e paligjshme që janë bërë   kësaj shoqërie nga ish zyrtarë. Gjithashtu ka  shqyrtuar  respektimin e  të drejtave dhe detyrimeve  ndërmjet KESH dhe OSSH për periudhën   tranzitore, marrëdhëniet  e institucioneve Shqiptare me Shoqërinë CEZ  shpërndarje, si dhe shoqëritë e mbledhjes së borxheve etj.

  Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë gjatë shqyrtimit  të verifikimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi  dhe mbrojtjen e  interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të  Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i Marrëveshjes së  Shitjes së aksioneve , miratuar me ligjin nr 10116, datë 23.04.2009 ka   konstatuar se :

 Shtetasi Nue Nik Kalaj duke përfituar  lidhjet   me  familjarë të  funksionareve të lartë të shtetit shqiptar  si dhe  nëpërmjet shtetasit Albert Faruku dhe Hamza  Merxhani, ka ndërmjetësuar  për privatizimin e OSSH-së nga  ÇEZ a.s.

 Nga pyetja e  dëshmitarëve , administrimi i dokumenteve , të  transfertave   bankare   në llogari të Nue Nik Kalaj në shumën 7 milion euro, koha kur janë kryer  transaksionet, mungesa e dokumenteve  justifikuese  për kryerjen e  këtyre transaksioneve  nga ÇEZ.a.s në favor të Nue Nik Kalaj, Komisionit  i kanë  krijuar dyshimin e arsyeshëm se kjo shumë është marrë për  të  ushtruar ndikim të padijshëm në ish funksionarët e lartë  të asaj kohe   me qëllim realizimin e blerjes së 76% të aksioneve të OSSH-së nga CEZ  a.s. Komisioni  ka  konstatuar se çfarë do lloj shërbimi i ligjshëm të  ketë kryer shtetasi Nue Nik Kalaj në favor të ÇEZ a.s,  nuk justifikon  përfitimin e shumës 7milion euro. Kjo shumë  e përfituar nga shtetasi  Kalaj,  është shumë herë më e madhe se sa  shuma e përfituar nga banka  Botërore (IFC)  nga ky proces privatizimi.

 Komisioni  Hetimor i  Kuvendit, arriti në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë  të  shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona  që ushtronin  funksionet më të larta publike  me veprime  aktive  dhe mosveprime,  kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave  të kundërligjshme që janë :

  -Nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar , por me  rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer  asnjë bilanc energjitik të sajin, pa asnjë  eksperiencë  për të operuar  në tregun e energjisë, pa asete të përcaktuara, duke  e paraqitur OSSH  si funksionale, me qëllim privatizimin  me shpejtësi të saj në favor të  CEZ.

 -Duke ndryshuar  treguesit specifikë  në Deklaratat  Rregullatore dhe duke ushtruar ndikim  të paligjshëm  dhe imponuar ERE  në vendimmarrje  të kundraligjshme.

 -Duke  kualifikuar  dhe  shpallur fitues CEZ, në shkelje të hapur  të kushteve minimale të  perfomancës teknike, të cilat ishin shpallur më parë si kritere   kualifikuese e konkretisht në shkelje të VKM nr. 835datë 11.06.2008, i  ndryshuar.

 -Duke negociuar  me kompaninë CEZ për nivelin e  borxhit të keq që do të pranohej  në llogaritjen e të ardhurave  të  kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim  të kushteve të  procedurës konkurruese , të përcaktuara më parë;

 -Duke negociuar për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike i panegocueshëm;

  -Duke pranuar  gjatë negociatave  të kryera , të gjitha kërkesat  e  ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e  situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mos qenies së   saj  e gatshme për privatizim;

 -Mosvazhdimin e procesit për rivlerësimin e çmimit  të shitjes, kjo para, gjatë dhe pas procesit të privatizimit të OSSH.

  Këto veprime  kanë  dëmtuar  rëndë interesat e ligjshme të  shtetit   dhe publikut në shumën 57,931,041,292 lekë ose 414 milion Euro.

 Komisioni Hetimor  ka konstatuar edhe  mosveprime të strukturave përkatëse pas heqjes së licencës CEZ e konkretisht:

 - Mosveprim në drejtim të  aseteve  të shoqërisë CEZ sh.a;

  - Mosveprim për fillimin e procedurave të shpronësimit të  aksioneve,  kundrejt një shpërblimi të drejtë , si dhe për mbledhjen e   dokumentacionit provues;

 - Mosndërmarrja e veprimeve për hapjen e  procesit gjyqësor ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ sh.a për  mospërmbushje të detyrimeve  të saj  të përcaktuara në kuadrin  rregullator specifik, dëmtuar pozitën mbrojtëse të shtetit në  arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala  shqiptare. 

 Këto mosveprime ka konsideruar të qëllimshme e me  pasoja të rënda në buxhetin e shtetit  e të shkaktuara në kuadër të   përfitimeve  e privilegjeve  të padrejta  që ishin  lejuar shoqërisë  ÇEZ.

 Duke analizuar  provat e administruara, Komisioni  ka  evidentuar  se persona me autoritet shtetëror me veprime dhe mosveprime   duke shpërdoruar funksionin  publik në bashkëpunim  kanë konsumuar  elementët e veprës penale “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë në  tendera”,”Mashtrimit”,”Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë  funksione publike”, “Pastrim i produkteve  të veprave penale “, vepra  penale këto të parashikuara  nga nenet 143, 245/1, 248, 258,dhe 287 të  Kodit Penal.

 
II. Lidhur me veprimet  procedurale të kryera nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë

  Nga përmbajta  e  kërkesës së Prokurorisë  rezulton se Prokuroria e  Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 7340, datë  19.09.2017 për veprën penale të “ Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”  dhe “pastrimin e produkteve të Veprës Penale”, parashikuar  nga nenet  245/1 dhe 287 të Kodit Penal. Për regjistrimin e këtij procedimi,  Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë  është  bazuar në materialet   hetimore të  procedimeve penale nr 3 dhe 4 të  regjistruar në  Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, e cila me hyrjen  ne fuqi të ligjit 35/2017“Për disa shtesa e ndryshime në Kodin e  Procedurës Penale” ka shpallur moskompetencën  dhe i ka dërguar këto  çështje për hetim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

  Prokurori i çështjes ka konstatuar se midis dy procedimeve  të filluara  njëri mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Romeo Kara dhe tjetra  bazuar  në  raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar  kanë  të  njëjtë objekt  “Procedurën e ndjekur nga Qeveria Shqiptare  për  privatizimin e Operatorit të Sistemit të  Shpërndarjes OSSH sh.a   ndërmjet Ministrisë së  Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së  Republikës së Shqipërisë dhe CEZ –a.s-së si dhe  evidentimi i efekteve  negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimi i kësaj  marrëveshje.”
Për këtë arsye , prokuroria ka  vendosur bashkimin e  procedimeve penale në një procedim  të vetëm me vendimin e datës  31.07.2017.  

 Gjatë  hetimeve paraprake, prokuroria ka  administruar vendimin e pushimit të procedimit penal nr 1, datë  11.02.2017 të Prokurorisë së Përgjithshme  me objekt hetimi  materialin  kallëzues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për veprën penale të”  shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248-25   të Kodit Penal.  

 Prokuroria e Përgjithshme në përfundim të hetimit në lidhje me kallëzimin e  MEI ka vendosur pushimin e hetimeve.  

  Përveç administrimit të vendimit të pushimit të procedimit penal nr. 1  të Prokurorisë së Përgjithshme, nga prokurorët e çështjes nuk janë kryer  veprime hetimore bazuar në  dokumentacionin plotësues  të administruar   nga Komisioni Hetimor  dhe dërguar bashkë më vendimin nr 36/2016 të  Kuvendit në Prokurori .

 Prokurorët nisur nga  ngjashmëria  e  kallëzimit të bërë më parë nga MEI në Prokurorinë e Përgjithshme dhe   Kallëzimit të depozituar nga Kuvendi i Shqipërisë  në lidhje me   shkeljet ligjore e nënligjore të konstatuara  në procedurat e  privatizimit të  OSSH- se nga  CEZ a.s, pa  hetuar  dokumentet  e  dorëzuar, nga Kuvendi  në vendimin e tyre për pushimin e hetimeve     arsyetojnë se  ndodhemi para  gjësë së gjykuar  duke ju referuar nenit 7  të Kodit të Procedurës Penale  dhe nenit 34 të Kushtetutës të  Republikës së Shqipërisë  të ndryshuar.

 Për akuzat “ Ushtrimi  i  ndikimit të paligjshëm  të shtetasit Nue Nil Kalaj ndaj funksionarëve   të lartë”,  dhe” Pastrimin e  produkteve të veprës penale “ parashikuar  nga nenet 245/1 dhe 287 të Kodit Penal ,prokuroria arsyeton se mungojnë  elementët e veprave penale të cilat janë parashtruar në kallëzimin e  Kuvendit.

 
III. Lidhur me parashtrimet e Kuvendit  ndaj  kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë  “Për pushimin e  procedimit  penal nr.7340, datë 19.9.2017 “ dhe veprimet  hetimore që  kërkojmë të  kryhen nga ana e Prokurorisë

 Kuvendi i Shqipërisë në  cilësinë e kallëzuesit ka paraqitur fakte dhe dokumente të cilat   provojnë shkelje të procedurave të privatizimit të OSSH nga CEZ a.s nga  funksionarë shtetërorë. Gjithashtu  kallëzuesi  me bazë të fakteve  të  depozituara  ka krijuar bindjen se  me  veprime shtetasit Nue Nik Kalaj  në bashkëpunim  ka konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i  ndikimit të paligjshëm ‘ dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale “

  Prokurorët e çështjes në mosrespektim të  detyrimit Kushtetues dhe  procedural , edhe pse gjykata  në vendimet e saj  u ka lënë detyra  konkrete prokurorisë , nga ana e kësaj të fundit janë kryer veprime  hetimore te pjesshme  po nuk është hetuar  procedura e privatizimit   sipas  objektit të hetimit të Komisionit hetimor parlamentar e cila  është njëkohësit  kallëzimi që Kuvendi i Shqipërisë ka depozituar në  prokurori .

 Prokuroria duke  krahasuar objektin për të cilën me  vendimin nr 30/2016 , Kuvendi ka  vendosur ngritjen e Komisionit Hetimor  Parlamentar dhe kallëzimit të MEI të hetuar më parë nga Prokuroria e  Përgjithshme  arrin në konkluzion  se kemi të bëjmë me të njëjtën vepër  penale , me të njëjtat fakte dhe të njëjtën  kohë.

 Ekzistenca e  fakteve të reja në kallëzimin e Kuvendit të Shqipërisë  bën të  domosdoshme kryerjen e veprimeve hetimore sipas kërkesave të Kodit të  Procedurës Penale.

 Në kërkesën drejtuar Gjykatës, prokurori i  çështjes ka përsëritur të njëjtin arsyetim që ka  përdorur prokurorja  paraardhëse  se  në kallëzimin e Kuvendit dhe në kallëzimin e Ministrisë  së  Energjetikës dhe Industrisë , sot Ministria e Transporteve dhe  Energjetikës  kemi të bëjmë më të njëjtin kallëzim  i  hetuar më parë  nga Prokuroria e Përgjithshme,  pushuar prej saj, vendim i cili është  lënë në fuqi  me vendimin e datës 21.11.2016 të Kolegjit Penal të  Gjykatës së Lartë.

 Ky arsyetim i prokurorëve  me interpretimin e  zgjeruar që kërkojnë ti japin nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale dhe  nenin 34 të Kushtetutës  është i gabuar .

 Kushtetuta në nenin 34   parashikon se “ Askush nuk mund të dënohet  më shumë se një herë për të  njëjtën vepër penale  dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të  rasteve  kur është vendosur rigjykimi i  çështjes nga një gjykatë më e  lartë , sipas mënyrës së parashikuar me ligj.” Pra neni 34 i Kushtetutës   i referohet vendimit të formës së prerë të gjykatës dhe jo vendimeve  të pushimit  të çështjes  gjatë hetimeve paraprake .

 Neni 7 i  Kodit të Procedurës penale parashikon se “ Askush nuk mund të rigjykohet  rishtas për të njëjtin fakt penal, për të cilin është gjykuar me vendim  të formës së prerë më përjashtim të rasteve  kur është vendosur   rigjykimi  i çështjes nga gjykata kompetente.”

 Edhe nga  përmbajtja e  nenit 7  del qartë se  arsyetimi i prokurorit se ndodhemi  para gjësë  të gjykuar është e gabuar  pasi  nenin 7  bën fjalë për  ato  raste kur kemi një vendim të formës së prerë  që lidhet me themelin e   çështjes .

 Në rastin e  mospranimit të ankimit të MEI  nga  Gjykata e Lartë  e cila  në  shqyrtimin e këtij ankimi ka  ushtruar  kompetencën  e gjykimit si gjykata fakti  sipas Kodit të Procedurës  Penale që ishte në fuqi në atë kohë, nuk përbën  fakt për tu përdorur se  ndodhemi para  gjësë së gjykuar

 Dispozitat e Kodit të Procedurës  Penale , nuk pengojnë rifillimin e një çështje të pushuar në se  dalin  prova dhe fakte të reja  për ngjarjen  apo autorin e saj , mjafton që  këto prova dhe fakte  të zbulohen brenda afateve të parashikuara në  Kodin Penal  mbi  parashkrimin e ndjekjes penale.

 Në provat që ka  paraqitur Kuvendi  në Prokurori ka fakte dhe dokumente të cilat nuk  kanë qenë pjesë e  kallëzimit të depozituar nga MEI në Prokurorinë e  Përgjithshme. Këto dokumente  edhe pse voluminoze duhet te ishin parë  nga prokurorët që kanë hetuar çështjes  para se” ipso jure “ të  vendosnin se ndodhemi para “gjësë të gjykuar”

 Moskryerja e  veprimeve hetimore me justifikimin se ndodhemi para të njëjtës vepre  penale  për të cilën janë kryer më parë hetime është një  zbatim i  gabuar i parimit të gjësë së gjykuar dhe  zbatimit të këtij parimi përsa  është e mundur dhe gjatë hetimeve paraprake. Prokurori bazuar në   ndryshimet  në Kodin e Procedurës Penale me  ligjin 35/2017, duhet ti  kërkonin Gjykatës Rifillimin e hetimeve dhe për veprën penale të   shpërdorimit të detyrës  nga funksionarët e lartë publikë që  ishin  marrë me procedurën e privatizimit të OSHE-së.

 Raporti i  Komisionit Hetimor Parlamentar përmban  fakte në lidhje me  rolin dhe  aktivitetin e shtetasit Nue Nik Kalaj, në kontaktet që ai ka patur me  funksionare të lartë shtetërorë apo lidhje familjare të tyre  në kohën e  privatizimit të OSSH-së. Transferta 7 milion euro nga CEZ te  ky  shtetas para se të përfundonte procedura e privatizimit , janë fakte të  pahetuara nga prokuroria,  për të cilat  Gjykata  e Rrethit Gjyqësor  Tiranë  me vendmin nr. 240 datë15.12.2017  i la detyra  organit të  prokurorisë  për hetimin e akuzave të ngritura nga vetë organi i  prokurorisë si “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që  ushtrojnë funksione publike “ dhe “ Pastrimi i produkteve të veprës  penale”.

 Në kërkesën për pushimin e hetimeve, prokuroria ka  evidentuar  disa veprimeve hetimore të  kryera pre saj si dërgimi i  letërporosive  në Republikën e Kosovës për pyetjen e shtetasit Ndue  Kalaj,
Dërgimi i letrës së porosisë në Republikën e Çekisë për  pyetjen e shtetasit  Hamza Merxhani , pyetjen e administratorëve  të ÇEZ  s.a,  administrimi i kontratave  lidhur mes administratoreve të ÇEZ s.a  dhe shtetasit Nue Kalaj.
Mosgjetja e  dëshmimtareve Ndue kalaj,  Hamza Merxhari të cilët janë  dëshmimtarët kryesorë që lidhje me akuzat  për të cilat është filluar procedimi penal, nuk përbën shkak për  pushimin e çështjes. Prokurori mun  te vendose pezullimin deri ne  gjetjen e  tyre duke njoftuar  edhe pikat kufitare ne rast te   konstatimit te hyrjes se tyre ne teritorin e Republikes se Shqiperise   po jo  t’i kerkoje  gjykates  miratimin e pushimit te ceshtjes.

  Në kërkesën për pushimin e çështjes, prokurori  i referohet edhe  përgjigjeve të marra nga autoritetet Kosovare të cilat nuk bënë të  mundur gjetjen dhe pyetjen e shtetasit Ndue Kalaj, apo të autoriteteve   Çeke  në lidhje me  letër-porositë  për pyetjen e shtetasve  Josef  Hajsak , Tomas Pleskac, Martin Roman  dhe Hamza  Merxhari, ku rezulton  se prokurori nuk ka mundur  që nëpërmjet këtyre letër- porosive të  realizonte pyetjen e tyre.

 Edhe pse nga ana e prokurorisë pas  kthimit të çështjes për hetimeve janë  kryer disa veprime hetimore  këto  veprime janë përsëri te pjesshme  dhe nuk provojnë që prokuroria  ka  kryer  hetime të plota të gjithanshme  në lidhje me kallëzimin e  Kuvendit të Shqipërisë  për procedurat e ndjekur nga funksionarët e asaj  kohe ne lidhje me shitjen e 76% të aksioneve  te operatorit të  shpërndarjes OSHE  sh.a te ÇEZ s.a.

 Nga ana e prokurorisë nuk  janë vlerësuar me objektivitet  faket e dokumentuara  në provat  shkresore të  depozituara nga Kuvendi i Shqipërisë  bashkëlidhur  vendimit nr.36/2016 të Kuvendit  dhe të evidentuar në mënyrë të  përmbledhur në Raportin e Komisionit Hetimor.

 Nuk është hetuar rrethanat e njohjes së shtetasit Nue Nik Kalaj me ish kryeministrin Sali Berisha  dhe familjarët e tij.

  Prokuroria nuk ka hetuar të transaksioneve e kryera në favor të  shtetasin Ndu Kalaj duke shkelur aktet ligjore që rregullojnë  veprimtarinë bankare në Republikën e Shqipërisë, po është mjaftuar me  pyetjen formale  në cilësinë e personit  që tregon rrethanat të dobishme  për hetimin shtetases Rudina Rudi, drejtore e degës së Raffeisen Bank ,  rruga e Kavajës.

 Në këto kushte kur  nga  veprimet e kryera  gjatë hetimeve paraprake të prokurorisë , konstatohen se prokuroria nuk  janë kryer të gjitha veprimeve hetimore të domosdoshme për të arritur në  konkluzionit në se veprat penale për të cilat ka filluar procedimi  penal  janë kryer nga personat e përmendur në kallëzimin e Kuvendit  apo   fakti i ndodhur nuk përbën  vepër penale.

 Ndryshe nga sa kërkoi  prokuroria,Kuvendi i kërkoi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë  shpalljen e moskompetencës dbe kthimin e akteve për vazhdimin e hetimeve   me pyetjen e dy dëshmimtareve Nuel Nik kalaj dhe Hamza Merxhani si   dhe hetimim per veprat penale te shpërdorimit të detyrës për ish  funksionaret në lidhje me  shkeljet ligjore e nënligjore të konstatuara   në procedurat e privatizimit të  OSSH- së nga  CEZ a.s.

 Kujtojmë se personat e kallzuar nga Kuvendi i Shaipërisë në këtë dosje penale janë:

  1. Sali Ram Berisha, Ish-Kryeministër dhe deputet i Kuvendit të  Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e  barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimi”,  “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione  publike”, “Refuzimi për të dëshmuar”, vepra penale të parashikuara nga  nenet 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.
2. Nue (Nuel) Nik  Kalaj për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj  personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të  veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”,  “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit”, vepra penale  të parashikuara nga nenet 245/1, 287, 307 dhe 310 të Kodit Penal.
3.  Genc Ruli, Ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i  Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës, për veprat penale “Ushtrimi  i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione  publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve  në tendera apo ankande publike”, vepra penale të parashikuara nga nenet  245/1, 248 dhe 258 të Kodit Penal.
4. Ridvan Bode, Ish-Ministër i  Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj  personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”,  vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248  të Kodit Penal.
  5. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për  veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së  pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të  parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.
6. Për të gjithë  anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat  penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve  në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet  248 dhe 248të Kodit Penal.
7. Florion Mima, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale  “Shpërdorimi i detyrës”;
8. Enno Bozdo, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
9. Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  10. Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar”  dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë  funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit  Penal;
11. Bujar Nepravishta, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
12. Sokol Ramadani, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat