A do të anulohet Kongresi i PS prej koronavirusit? Taulant Balla: Jemi shtet normal

Shqipëria

A do të anulohet Kongresi i PS prej koronavirusit? Taulant Balla: Jemi shtet normal

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 12:55
Taulant Balla

Taulant Balla la të kuptohet se Partia Socialiste nuk do ta anulojë mbajtjen e Kongresit, parashikuar të mbahet nga data 28 shkurt deri në 1 mars. I pyetur nga gazetarët nëse në rast të përhapjes së koronavirusit do të merrej një vendim i tillë, Balla nuk dha një përgjigje direkte, por tha se situata nuk është për panik dhe do të ndiqen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Taulant Balla: Së pari më lejoni të them që Shqipëri është një shtetet normal. Ka një qeveri që bën detyrën çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat shumë më parë se ky virus të afrohej në Europë. Nuk ka aspak hapësirë për panik, gjithçka duhet bërë sipas instruksioneve të Ministrisë së Shëndetësisë. Kongresi i PS do zhvillohet sipas axhendës së parashikuar. Për çdo lloj mase tjetër jo vetëm ne por kushdotjetër duhet të ndjek protokollin e masave të MSH. 

Dua të them dy fjalë për kundrejt gjithkujt, ndër ta personazhi më negativ mbetet Sali Berisha, që sa herë që ka një fatkeqësi, merr përsipër të shpërndajë lajme alarmuese. Ishte e turpshme që një ish-kryeministër të shpërndajë lajme të tilla. Nuk ndodh asgjëkundi, as në Itali, keni në Itali opozitën italiane të bëjë këtë sjellje të paturpshme, që bën ky individ i caktuar brenda opozitës. Qeveria po zbaton në mënyrë strikte protokollin e masave të OBSH. 

Dua t`i them çdo qytetari shqiptar, anashkaloni lajmet e rreme. Ajo që dua t`ju them është se nuk ka vend për panik. Sa kohë që konfirmohet se Shqipëria nuk është e prekur nga ky virus... dua të përshëndes dhe ministren e Arsimit për reagimin ndaj një shkolle që mori një hap të paligjshëm. Në ditët në vijim gjërat edhe ky panik do qetësohet. 

Tre ditë Kongres: Më tej, duke folur për Kongresin, Balla mohoi që zgjatja për tre ditë e Kongresit është “tregim force” ndaj Presidentit. Ai tha se gjithçka është paravendosur që në vitin 2019, por u anulua për shkak të tërmetit.

Taulant Balla: Ju e dini fare mirë që Kongresi i Partisë socialiste është caktuar të mbahet në shtator të vitit 2019. Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit axhenda politike e PS ndryshoi me disa javë. Ju e dini që kongresi i datës 29 është përcaktuar prej shumë e shumë javësh. Qysh në fund të vitit 2019. Kjo nuk ka të bëjë aspak me çështjet dhe konfliktin e brendshëm që ka lindur brenda opzitës mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës. Ne nuk futemi në këtë debat, kemi axhendën tonë politike. Kongresi i PS ka miratimin e axhendës së Partisë Socialiste që fillon nga ky kongres dhe përfundon në zgjedhjet e qershorit 2021. 

Frika për shpërndarjen e Parlamentit:

Taulant Balla: E dini atë përrallën “dhelpra dhe rrushi?”. Përgjigjen e keni aty dhe lexojeni. Do të hezitoja të bëja çdo koment ndaj një Presidenti që ka humbur çdo lloj sjellje kushtetuese dhe normale për të vijuar për të qenë President i Republikës. Ajo më e rënda është ajo e një lloj sjellje aspak e pranueshme ndaj ambasadorëve të akredituar në Shqipëri. Kjo nuk ka të bëjë me detyrimet kredenciale, por ka të bëjë dhe me atë që është “zakon i shqiptarit”, ku kjo lloj sjellje me kërcënime nuk ka të bëjë me zakonin e shqiptarit. Fokusi jonë kryesor është rindërtimi dhe çdo lloj mbështetje që ka nevojë çuarja përpara e Reformës në Drejtësi. Për halle të tjera ne nuk kemi kohë të përgjigjemi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat