Ftesa e Ramës për negociatat: Meta pranon, Basha refuzon

Shqipëria

Ftesa e Ramës për negociatat: Meta pranon, Basha refuzon

Më: 10 maj 2020 Në ora: 06:02
Rama, Meta dhe Basha

Kryeministri Edi Rama zbuloi emrin e kryenegociatorit shqiptar në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, në konferencën e përbashkët me ambasadorin europian Luigi Soreca, në ditën e Europës.

Gjithçka teksa tha se Shqipëria po përgatitet për negociatat e anëtarësimit.

“Të gjithë duan integrimin e Shqipërisë në BE. Kemi ngritur edhe grupin negociator. Është momenti për ta thënë të emrin të kryenegociatorit, një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka hezituar të kritikojë edhe qeverinë tonë, kjo është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë proces. Një personalitet i diplomacisë shqiptare, i gjithëpranuar për dijen dhe aftësitë e tij, qoftë kur ka kryer misione, qoftë kur ka kryer detyra të rëndësishme, ambasadori Zef Mazi. Ai do të jetë kryenegociatori. Shpresoj me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare dhe Presidentin të japim të gjithë një kontribut”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se tani që kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare, plani i punës është i detajuar dhe duhet të vazhduar të konsultohet hap pas hapi.

Sipas tij, këtu duhen të gjithë aktorët, edhe pse qeveria mban peshën kryesore.

Në këtë drejtim Rama u shpreh i gatshëm për të takuar Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

“Ne jemi gati për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin, kryetarin e opozitës dhe të gjithë aktorët e tjerë përfaqësues të institucioneve të pavarura, të drejtësisë, Në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët, secili të bëjë detyrat e veta, jo për t’u imponuar të tjerëve që të bëjnë detyrat e tyre, por për një mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, që deri më sot nuk më rezulton se ka një mendje tjetër”, tha Rama.

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur pozitivisht një ftesë të Ramës për t’u ulur në kuadër të procesit të integrimit, me konkretisht kushtet e negociatave.

“Jam plotësisht i përkushtuar për të marrë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve!”, tha kreu i shtetit.

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha e ka refuzuar këtë ftesë.

Në një reagim në Facebook, gjatë mbrëmjes së sotme, Basha e quan thirrjen e kryeministrit Rama si hipokrite.

“Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite. Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar”, shkroi Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat