Lleshaj pranon: Kanabis nuk është çrrënjosur, zonat e kuqe janë Gjirokastra, Shkodra, Durrësi e Vlora - Bota Sot
Lleshaj pranon: Kanabis nuk është çrrënjosur, zonat e kuqe janë Gjirokastra, Shkodra, Durrësi e Vlora

Shqipëria

Lleshaj pranon: Kanabis nuk është çrrënjosur, zonat e kuqe janë Gjirokastra, Shkodra, Durrësi e Vlora

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 14:20
Sandër Lleshaj

Lufta me kanabisin vazhdon të mbetet e hapur. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj teksa pranoi se kanabisi nuk është çrrënjosur plotësisht, kërkoj intensifik nga strukturat e policisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Gjatë takimit me prefektët, drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit për të analizuar masat dhe rezultatet në luftën antikanabis, Lleshaj renditi edhe qarqet me risk në kultivimin e bimëve narkotike.

Lleshaj: Kanabisi në vend nuk është çrrënjosur plotësisht. Nuk janë dorëzuar të gjithë ata që duhet të dorëzohen përballë kësaj lufte të policisë dhe organeve të tjera shtetërore. Përpjekja duhet të vazhdojë me intensitet të lartë. Viti 2020 ka veçorinë e vet që lidhet me angazhimin e madh të policisë dhe strukturave të tjera të shtetit në përballjen e pandemisë por tani dhe në vijim shtrihet nevoja që përpjekja të intensifikohet në maksimum dhe edhe risku rritet me lehtësimin e lëvizjes.

Lufta kundër kanabisit nuk është përpjekje ekskluzive e policisë por e të gjithë institucioneve. Theksoj me rëndësi të madhe përgjegjësitë që ka pushteti vendor për të kontrolluar territorin. Puna e policisë duhet të fokusohet ndaj atyre që nuk ushtrojnë përgjegjësitë ligjore.

Kush ka përgjegjësi për territorin dihet, është ose në duar publike ose private. Çdo rast kultivimi në sipërfaqe private është përgjegjësi e pronarëve të asaj sipërfaqe toke. Çdo bimë e kultivuar në sipërfaqe publike është përgjegjësi e administratorëve të atij territori. Nëse nuk e bëjnë atë detyrë të mbajnë përgjegjësi.

Policia duhet të angazhohet për monitorimin ajror dhe tokësor. Duhet të përdoret flota jonë e helikopterëve që kemi në dispozicon për të mbuluar të gjitha zonat që janë në risk. Sipas informacioneve që disponoj zona me risk janë ende disa qarqe të vendit si Gjirokastra, Shkodra, Durrësi, Vlora ku kërkohet vëmendje maksimale pa lënë në harresë dhe qarqet e tjera si Lezha, Berati, Elbasani.

Tentativa për kultivim ka në shumë qarqe të vendit. Përgjegjësia e secilit prej jush është lufta në tre fronte: Vënia para përgjegjësisë e administratorit, zhvillimi i operacioneve policore, monitorim dhe goditje ku risku është i lartë dhe ka informacione, së treti ballafaqimi me të keqen brenda vetes. Kultivimi i kanabisit apo veprimtari të tjera kriminale lidhen me punën të pamjaftueshme dhe kriminale të elementëve brenda policisë që duhen identifikuar dhe të vihen para përgjegjësisë.

Vitin e kaluar kemi pasur disa raste punonjësish policie që janë proceduar penalisht për moskryerje të detyrës apo edhe përfshirje në veprimtari të paligjshme. Për fat të keq edhe sivjet ka pasur raste të tilla që ose nuk kanë bërë detyrën, ose e kanë bërë keq, ose janë përpjekur për ta dëmtuar atë duke u përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe kriminale.

Janë marrë masa që kanë shkuar deri në nivele të larta. Oficerë duke pasur grada mbi supe kanë shkelur kodin e etikës, kodin e nderit, kanë shkelur lidhet dhe janë përfshirë në veprimtari kriminale. Duhet të që procesi i vetëpastrimit të shoqërojëe gjithë përpjekjen tonë kundër kanabisit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat