Zgjedhorja/ Përfundon takimi i ambasadorëve me përfaqësuesit politik, ende nuk ka konsensus

Shqipëria

Zgjedhorja/ Përfundon takimi i ambasadorëve me përfaqësuesit politik, ende nuk ka konsensus

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 15:05
Foto nga takimi

Është mbyllur takimi i ambasadorëve me 4 negociatorët e Këshillit Politik.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se edhe pas tentativave të shumta të ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe, palët politike nuk kanë gjetur ende një konsensus për të miratuar Reformën Zgjedhore.

Ndërkohë mazhoranca nuk ka konfirmuar takimin e radhës së Këshillit Politik për pasditen e sotme në orën 17:00. Kanë qenë përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi dhe përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili të cilët kërkuan një ditë më parë mbledhjen e Këshillit gjatë pasdites së sotme.

Sot në mesditë ka qenë ambasadorja Yuri Kim e cila mblodhi ‘kokë më kokë’ përfaqësuesit e palëve politike në Këshillin Politik për të gjetur një konsensus.

Më 31 maj, skadoi pa ndonjë marrëveshje mes partive politike afati i reformës zgjedhore. Ndërsa prej dy ditësh diplomatët amerikanë dhe ata europianë kërkuan përfundimin e reformës dhe kanë nisur takimet me palët politike. Ata theksuan në mesazhet e tyre se marrëveshja politike është shumë pranë dhe se reforma zgjedhore është e rëndësishme për integrimin europian të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat