95 viktima dhe 2700 të infektuar, korriku më shumë vdekje dhe raste se 4 muaj pandemi në Shqipëri

Shqipëria

95 viktima dhe 2700 të infektuar, korriku më shumë vdekje dhe raste se 4 muaj pandemi në Shqipëri

Më: 31 korrik 2020 Në ora: 19:48
Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë raportoi të premten 3 viktima, 79 raste dhe 69 të shëruar të tjerë nga COVID-19 duke çuar bilancin e pandemisë në vendin tonë në 5,276 raste, 2,952 të shëruar dhe 157 të vdekur.

Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, tha në një konferencë për shtyp se viktimat ishin të moshës 90, 76 dhe 56 vjeç nga Elbasani dhe Tirana.

Muaji korrik rezulton kështu muaji më i rëndë i pandemisë në Shqipëri me 95 viktima (60% e totalit) dhe 2,741 raste (51% e totalit) duke tejkaluar të gjitha shifrat e 4 muajve të tjerë që patën 2,535 raste dhe 62 viktima.

Mesatarisht gjatë muajit korrik pati çdo ditë nga 3 viktima, 88 raste të reja dhe 48 të shëruar.

Gjatë konferencës për shtyp Cami kujtoi qytetarët që të mbajnë distancën fizike dhe maskat në mjediset e mbyllura. Ajo njoftoi se situata në spitale mbetet kritike ku ashtu si përgjatë gjithë muajit të shtruarit në spitale kanë mbetur mbi 100.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe Spitalin Shefqet Ndroqi, trajtohen 115 pacientë, 16 prej të cilëve në terapi intensive, nga këta 5 janë me frymëmarrje të drejtuar,” – u shpreh Cami.

Autoritetet shëndetësore kryen gjatë 24 orëve 500 teste, duke diagnostikuar 79 persona pozitivë me COVID-19 – shumica prej të cilëve në Tiranë (56), Shkodër (6) dhe Krujë (6).

Po gjatë kësaj periudhe kohore u deklaruan të shëruar 69 qytetarë, duke e çuar totalin e atyre që e kanë mposhtur virusin në 2,952 persona.

Aktualisht mbeten 2,167 persona ende mbartës të virusit, ose siç thuhet në zhargonin mjekësor “raste aktive”. Pjesa kryesore janë në Tiranë (1,191) e Durrës (256), Shkodër (209) ndërsa shqetësuese është situata edhe në Vlorë (94), Fier (83) Lezhë (82), Kukës (65) dhe Korçë (60).

Prej nisjes së pandemisë autoritet kanë kryer 36,993 teste me tamponë dhe 4,206 teste serologjike.

Shqipëria mbetet vendi që kryen më pak teste në rajon me një statistikë prej 13,200 testesh për çdo 1 milionë banorë – 8 herë më pak se Serbia dhe 4 herë më pak se Maqedonia e Veriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat