Në dy spitalet e Covid, ka më shumë pacientë të shtruar sesa deklarohet - Bota Sot
Në dy spitalet e Covid, ka më shumë pacientë të shtruar sesa deklarohet

Shqipëria

Në dy spitalet e Covid, ka më shumë pacientë të shtruar sesa deklarohet

Më: 31 korrik 2020 Në ora: 21:26
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar sot gjatë konferencës së radhës se në dy spitalet Covid po mjekohen 115 pacientë të sëmurë nga koronavirusi.

Kjo shifër është më e ulët në raport me dy ditët e fundit kur ministria deklaroi përkatësisht në datën 29 korrik se kishte 125 pacientë të shtruar në dy spitalet që trajtojnë pacientët e prekur nga Covid-19.

Ndërsa në datën 30 korrik kjo shifër u raportua 124 dhe sot, 31 korrik shifra zbriti në 115 totali. Por a duhet t'i besojmë statistikave zyrtare? Prej ditës së djeshme, nga raportimi zyrtar i autoriteteve shëndetësore, është vënë re rritja e numrit të pacientëve në terapinë intensive.

Ndërkohë që burime pranë gazetës "Shqip" konfirmuan se numri total i pacientëve të shtruar në spitalet Covid është shumë herë më i lartë sa raportimet zyrtare.

Kështu, në spitalin infektiv thuhet se janë rreth 70 pacientë të shtruar me Coronavirus, ndërsa në spitalin nr.2 "Shefqet Ndroqi" kjo shifër është rreth 120. Pra në total janë 190 pacientë që marrin trajtim mjekësor.

Po pse po fshihen shtrimet reale në dy spitalet Covid?

Në deklaratat e kahershme që në fillim të pandemisë, ministria e Shëndetësisë deklaronte se kishte 400 shtretër si limitin e kapacitetit të sistemit publik shëndetësor.

Sipas të dhënave që disponon gazeta "Shqip", ne i jemi afruar gjysmës së kapacitetit maksimal çka nënkupton se me afrimin e vjeshtës situata mund të ndryshojë menjëherë.

Ajo cfarë nuk kuptohet është pse shifrat nuk raportohen realisht kur dihet se në skenarët e ministrisë janë dhe hapja e 2 spitaleve të reja për trajtimin e pacientëve me.koronavirus. Kush ka frikë nga paniku që mund të krijohet nëse spitalet mbipopullohen?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat