Fshati i emigrantit të parë që po shkon drejt rrënimit

Shqipëria

Fshati i emigrantit të parë që po shkon drejt rrënimit

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 15:08
Katundi

Emigrimi masiv dhe largimi i të rinjve është kthyer në një shqetësim social  gjatë viteve të fundit, teksa mijëra të rinj kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.  

Ky shqetësim e ka zanafillën që në fund të shekullit të 19-të.

Euronews Albania shkoi në fshatin Katund në Korçë, nga ku udhëtoi dhe emigranti i parë shqiptar. Sot, ky fshat vuan mungesën e rinisë, ndërsa në total kanë mbetur vetëm 4 familje.

Fshati Katund, aty ku lindi e jetoi At Nikolla Kristofori, emigranti i parë shqiptar në Amerikë, i quajtur ndryshe Kolombi shqiptar sot është "shkretuar" dhe nën harresë. Rruga është e amortizuar dhe për të mbërritur në këtë fshat duhen 2 orë rrugë me kalë. 

Sot Katundi numëron vetëm 4 familje ndërkohë që dikur ka qenë një  fshat i populluar e me tradita.

Sipas banorit Gaqo Peno, "mallkimi" i këtij fshati nisi në demokraci, atëherë  kur njerëzit nisën të emigronin në zonat afër qytetit.

"Janë 4 familje po e këta qe janë, janë kështu, venë e vinë gjatë beharit, vendas pak janë, 4 familje që rrinë gjithmonë. Keq të vjen shumë se ka qenë një fshat me tradita të vjetra dhe një fshat i mirë nga ana ekonomike por pastaj në kohën e demokracisë përfunduan, shkolla nuk kish më se njerëzit ikën, telefona në atë kohë nuk kishte fare, rrugët u prenë s’kishim me çfarë shkonim, por më kryesorja ishte shkolla. E unë që ika për shkak të shkollës për fëmijën e vogël",- u shpreh Gaqo Peno.

Jetesa në Katund është e vështirë, kjo për shkak të largësisë nga qyteti. Në rast se dikush sëmuret banorët e fshatit u duhet ta transportojnë me barelë drejt Korçës apo Ersekës.

"Në qoftë se një njeri do sëmuret e marrim me barelë, e çojmë në një fshat diku rreth 1 ore e gjysmë 2 orë me barelë, që ta çojmë në Korçë ose në Ersekë",- tha Koço Dono një tjetër banor.

Pyetur nga gazetari nëse ndonjë politikan ka shkuar ndonjëherë në këtë zonë një i moshuar i fshatit ironizon. Argëtimi? Vetëm rakia.

"Jo s’ka ardhur ndonjëherë këtu. Është larg këtu nuk vijnë dot se u lodhen këmbët",- tha Jani Dono

Ndërkaq derisa sytë e pushtetit lokal të kthehen drejt këtij fshati me histori e traditë ky vend do të vazhdojë të vuajë rrënimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat