Ngritja e Gjykatës Kushtetuese/ KED nis filtrimin e kandidatëve, si “shfajësohet” për shpejtësinë e verifikimit

Shqipëria

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese/ KED nis filtrimin e kandidatëve, si “shfajësohet” për shpejtësinë e verifikimit

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 09:11
Foto Ilustrim

Dje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi filloi procesin për verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve që kanë aplikuar për të zënë një nga vendet e lëna vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e zhvilluar dje u përzgjodhën me short relatorët dhe këshilltarët që do të bëjnë punën për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve që kanë dërguar aplikimin e tyre pas thirrjeve që kishte hapur Kuvendi dhe Presidenti.

PROCESI Tashmë, me caktimin e trupave do të bëhet verifikimi dhe vlerësimi i kandidatëve, të cilët në bazë të të dhënave do t’i nënshtrohen edhe pikëzimit, i cili bën edhe renditjen e tyre para se listat t’i dërgohen Presidenti dhe Kuvendit. Këta të fundit kanë të drejtën që të zgjedhin/votojnë njërin nga kandidatët. Në mungesë dekreti/votimi në Kuvend, vendin në Gjykatën Kushtetuese për pozicionin vakant përkatës e merr ai që ka grumbulluar më shumë pikë në vlerësimin që bën KED.

NDËRKOMBËTARËT

Të hënën ishte ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, por edhe kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, të cilët theksuan rëndësinë e madhe që ka ringritja dhe bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese. Madje diplomatja amerikane bëri thirrje që të mos humbet kohë dhe procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga KED-ja të bëhet me ritme të shpejta. “Presidenca dhe Parlamenti kanë publikuar listat e tyre përkatëse të kandidatëve për Gjykatën Kushtetues. Ne duartrokasim ata që iu përgjigjën thirrjes për të shërbyer. Ne inkurajojmë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të veprojë shpejt për të vlerësuar kandidatët”, ka theksuar Kim.

QENDRIMI I KED

Por pas kësaj kërkese të ambasadores amerikane për t’i dhënë shpejtësi procesit të vlerësimit të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, ka ardhur edhe njëlloj përgjigjeje nga KED-ja. Organi që merret me verifikimin e kandidatëve që kanë shprehur interesin për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, nënvizoi dje në deklaratën për mediat se shpejtësia e këtij procesi nuk është vetëm në dorën e tyre, por edhe të institucioneve që bashkëpunojnë për ofrimin e të dhënave. “Megjithatë, pavarësisht nga angazhimi maksimal i këtij këshilli, thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varen gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED-së”, thuhej në njoftimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat