Në 25 prill do përdoret për herë të parë teknologjia në votime, KSHZ miraton me unanimitet vendimin

Shqipëria

Në 25 prill do përdoret për herë të parë teknologjia në votime, KSHZ miraton me unanimitet vendimin

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 16:34
Foto Ilustrim

Në zgjedhjet e 25 prillit do të aplikohet për herë të parë identifikimi i votuesve nëpërmjet teknologjisë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (Ish-KQZ) me anë të Komisionit Rregullator ka votuar me unanimitet miratimin e karakteristikave teknike që do përdoren për identifikimin biometrik të votuesve.

Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve,  Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, Lealba Pelinku.

Pas diskutimeve Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi që në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021, procesi i identifikimit të zgjedhësve në të gjithë qendrat e votimit (QV), në territorin e vendit, do të kryhet me ndihmën e pajisjeve elektronike.

Në njoftimin e KSHZ thuhet se ”Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “software” si dhe pajisjet “hardware” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë.

Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve.

Gjithashtu, vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat