Sondazhi, mësimi online në universitetet publike, joefektiv për studentët

Shqipëria

Sondazhi, mësimi online në universitetet publike, joefektiv për studentët

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 16:05
Foto Ilustrim

Citohet përditë se mësimi në kushtet e shtëpisë nuk është ideali, por zgjidhje e diktuar nga pandemia. Por nëse vështirësisë për të nxënë online i shtohet një pjesëmarrje e ulët studentësh e mosrespektim oraresh nga një përqindje jo e vogël e stafit akademik, situata bëhet serioze.

Pas një semestri online nga viti i kaluar e tanimë gati dy muaj mësim në kushtet e shtëpisë, organizata “Qëndresa Qytetare” ka kryer një sondazh me të rinjtë mbi efektivitetin e kësaj metode mësimi. Studentët e pyetur raportojnë një pjesëmarrje në klasën e tyre mesatarisht 60%, ndërsa thuajse 40% ankohen se nuk janë respektuar oraret gjatë mësimit, të dhëna këto të ndryshueshme nga një klasë në tjetrën, apo edhe midis universiteteve. Më të “devotshmit” rezultojnë studentët e Universitetit Bujqësor, ndërsa ata në Durrës regjistrojnë deri më tani përqindjen më të ulët të studentëve me akses në mësim, vetëm 39%. Arsyet?! Mungesa e një lidhjeje interneti thonë shumica, e ndjekur nga mungesa e platformave dhe teksteve dixhitale apo pajisjeve të nevojshme.

KOSTOJA

Ndërsa për universitetin është një barrë më pak, për shkak se nuk paguan për shërbime njësoj siç studentët të ishin në mjedise, për studentët është një kosto shtesë, e nevojshme për të marrë dije. Automatikisht, një përqindje jo e vogël firon në pjesëmarrje, pasi nuk mund të sigurojë lidhjen elektronike. Nga të pyeturit, mbi 60% e tyre kishin blerë paketa në kompanitë e internetit, 29% e kanë realizuar mësimin përmes paketave telefonike, ndërsa gati 10% nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë asnjërën prej të lartpërmendurave. Në këtë pikë, as karta e studentit nuk bëri punë. 52% e studentëve thonë se uljet e siguruara përmes saj nuk kanë minimizuar kostot për blerjen e paketave të internetit. Sipas përllogaritjeve të organizatës, mbi 2 milionë euro në muaj janë shpenzuar nga studentët për të aksesuar mësimin online.

CILËSIA

Ndonëse u bënë muaj me këtë metodologji mësimi, nuk ka asnjë nismë për ta futur në ligj, si formë alternative në kushte emergjence, por me standarde. “Kuvendi dhe qeveria nuk ka marrë asnjë iniciativë për të ndryshuar ligjin 80/2015 për arsimin e lartë në Shqipëri, me qëllim ligjërimin e kësaj forme të mësimdhënies si dhe përcaktimin e standardeve që e bëjnë të akreditueshme këtë formë”, citohet në raportin e “Qëndresës Qytetare”, e cila vë në pikëpyetje efektivitetin e mësimit në distancë. Për këtë ankohen edhe 52.2% e studentëve, të cilët thonë se sfida kryesore është pasja e një metodologjie për këtë lloj mësimdhënieje. Për 22% sfidë primare është aksesi në internet, për rreth 16% sigurimi i platformave të duhura dhe për 10% mjetet që e mundësojnë.

VLERËSIMI

Në pyetësorin e shpërndarë mbi 600 studentëve, ata u kanë vënë nota pedagogëve, mësimit dhe shërbimit në fakultete. Përgatitja e gatishmëria e pedagogëve përllogaritet diku midis notës 7 dhe 8, efektiviteti i mësimit online vlerësohet me një notë më tepër se ajo kaluese – 6, ndërsa shërbimi në fakultete luhatet midis notës 5 dhe 6. Sidoqoftë, ka një diferencim të qartë midis universiteteve, i cili shpjegohet me qasjen në mësim. Sa më e lartë pjesëmarrja, aq më i lartë vlerësimi për to. Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë vlerësuar me notë më të lartë pedagogët, sekretarinë dhe efektivitetin e mësimit, ndërsa studentët e Universitetit të Durrësit kanë vlerësuar me notën kaluese 5, pra me një vlerësim të ulët këto tre matës të cilësisë së ofrimit të mësimit dhe shërbimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat