Hetimi për kokainën “El Mejor”/ Administratorët e firmës pritëse në Shqipëri do të dalin sot para Gjykatës

Shqipëria

Hetimi për kokainën “El Mejor”/ Administratorët e firmës pritëse në Shqipëri do të dalin sot para Gjykatës

Më: 13 prill 2021 Në ora: 10:17
Foto

Në magazinën “Massabi Fruits”, supozohej se do të vinin 143 kg kokainë, por që u kapën dhe u sekuestruan në Portin e Durrësit.

Dy administratorët e firmës pritëse në Shqipëri, Klajdi Xibraku dhe Erion Peti kanë mbërritur në Gjykatën e Durrësit ku pritet të njihen me masën e sigurisë. Seanca zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të pandemisë.

Ata kanë mohuar që të kenë lidhje me kokainën e fshehur në kontenierin me banane që do të shkarkohej në kompaninë e tyre, në Kombinat në Tiranë. Megjithatë, hetimet e kryera nga SPAK dhe prokuroria e Durrësit, çuan në arrestimin e kushërinjve, Xibraku dhe Peti. Policia ka pasur informacion më herët që në një kontenier që ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador, fshihej kokaina.

Së bashku me autoritetet doganore dhe portuale, e kaluan në kontroll të imtësishëm kontenierin dhe në tavanin e tij u gjetën rreth 200 pako të mbështjella ku në një pjesë prej tyre shkruhej “El mejor”, e përkthyer në shqip, “më e mira”.

Kontenieri ishte ngarkuar në Ekuador, në anijen e quajtur “Dance”, me flamur portugez, dhe në port menjëherë është vendosur në zonën e rrezikut, ku më pas i është nënshtruar kontrollit të detajuar në skaner. Arkat me banane të cilat kompania Masabi Fruits, i ngarkonte në Ekuador, e që më pas i sillte në magazinat në Kombinat, por të shtunën u tentua që të kaloheshin edhe 143 kg kokainë së bashku me to.

Kjo linjë trafiku, e me të njëjtën skemë për fshehjen e drogës në banane, u zbulua fillimisht në shkurt të 2018-ës, ku Arbër Çekaj, tentoi të kalonte 613 kg kokainë. Të njëjtën gjë, e përsëriti edhe babai i tij 3 vite më pas. Në 1 prill, në kontenierin e kompanisë së tij, u gjetën të fshehur në shasi, 49 kg kokainë.

Kryesisht, ngarkesat që kanë për origjinë, Kolumbinë dhe Ekuadorin, autoritetet portuale, i kanë nën mbikëqyrje, për shkak të rrezikut të trafikimit të lëndëve narkotike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat