OSBE tërheq vëmendjen mbi rolin e grave në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Shqipëria

OSBE tërheq vëmendjen mbi rolin e grave në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 00:40
Tiranë

Prezenca e OSBE-së dhe Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm zhvilluan të enjten konferencën rajonale mbi rolin e grave në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, që çojnë në terrorizëm në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, u shpreh se shumë familje u larguan nga Shqipëria, gra dhe fëmijë, që iu bashkuan burrave dhe baballarëve.

“Janë 79 meshkuj, 27 gra dhe 38 të mitur nga Shqipëria. Një numër në rritje i ish-mbështetësve të ISIS-it po kthehen sërish në rajonin e OSBE-së aktualisht” - shtoi ambasadori Del Monaco.

Ai citoi një studim i Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë, ku si faktorë kryesorë për pjesëmarrjen e grave shqiptare në zonat e luftës renditen margjinalizimi social, pushteti i dobët vendor, dhuna në familje, diskriminimi me bazë gjinore në vendin e punës dhe pabarazia e përgjithshme gjinore.

“Por gratë nuk mund të trajtohen thjesht si viktima. Shumë syresh edhe nga rajoni ynë ato kishin role të rëndësishme në radhët e organizatës terroriste ISIS. Roli i grave si anëtare të grupeve terroriste, ose si ekstremiste, shpesh reduktohet si shoqëruese të familjes apo si anëtare jo të rëndësishme të grupeve terroriste. Kjo qasje paraqet rrezik për sigurinë, por vë në rrezik drejtësinë. Gratë duhet të përballen me drejtësinë njësoj si burrat” - tha ambasadori Del Monaco.

Nga ana tjetër, gratë kanë një rol me rëndësi në luftën aktive dhe të suksesshme, që zhvillohet kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit.

“Përmes punës së tyre në organizatat komunitare, lidhjes me shkollat dhe familjet, gratë identifikojnë të parat simptomat fillestare të sëmundjes së radikalizimit dhe që gjejnë mënyrat për të zgjidhur problemin para se të jetë vonë” - theksoi ambasadori i OSBE-së.

Drejtuesja e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, thotë se konferenca rajonale po diskuton format e parandalimit mee trendet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Gjendja aktuale është shumë më mirë se sa në vitin 2014. Ne po riatdhesojmë grupe personash nga kampet dhe po arrijmë të bisedojmë në komunitete për të trajtuar nga afër këtë dukuri” - thotë zonja Dervishi

Sipas një studimi të Institutit Shqiptar për Demokraci dhe Ndërmjetësim, 1 mijë e 353 burra, gra dhe fëmijë nga Ballkani Perëndimor u larguan për në Siri dhe Irak në pesë vitet e fundit. Afo 15 përqind e atyre që u larguan nga Ballkani Perëndimor për të luftuar për grupet ekstremiste ishin gra./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat