Partia Socialiste reagon për përplasjen e Metës dhe Kushtetueses

Shqipëria

Partia Socialiste reagon për përplasjen e Metës dhe Kushtetueses

Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:54
Partia Socialiste

Partia Socialiste ka reaguar pasi presidenti Ilir Meta nisi përplasjen e re, jo më me qeverinë që e akuzonte për tentativë kapjeje të gjykatës, por me vetë Gjykatën Kushtetuese, 5 ditë përpara se kjo e fundit të japë vendimin për shkarkimin ose jo të tij. Sot Ilir Meta kërkoi hetime nga kolegji i posaçëm i apelimit, për gjyqtaren Fiona Papjaorgji.

Padia lidhet me shqyrtimin e dosjes së 30 qershorit, që tashmë është mbyllur. Por kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla shprehet se kërkesa e paraqitur nga Ilir Meta nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj dhe se po përpiqet që të cenojë integritetin e gjykatës.

“Lidhur me njoftimin e sotëm mbi një kërkesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për procedimin disiplinor të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se kërkesa e paraqitur nga ana e tij nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj.

Presidenti i Republikës duke u përpjekur të cenojë integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe të vendim-marrjes së saj, po vijon veprimet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Akte këto, të cilat sollën dhe shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.

Është mëse qartë që vendimet e një procesi në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të jenë në përputhje me “interesat” e një kërkuesi apo grupeve të cilat preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e ligjin, ndaj “pala e pakënaqur” nuk duhet të ndërmarrë akte të cilat pengojnë dhe vënë në provë sistemin e garancive të pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të një vendi.

Nëpërmjet kësaj kërkese të pabazuar, Presidenti i Republikës, kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me zhvillimin e proceseve të ardhshme pranë Gjykatës Kushtetuese, për të penguar, apo bllokuar zhvillimin e tyre.

Reforma në Drejtësi ka krijuar dhe po vijon të krijojë “shqetësime” të vazhdueshme dhe për rrjedhojë do të shoqërohet me reagime apo presione me mjete joligjore, me të cilat organet e reja të sistemit të drejtësisë duhet të përballen.

Çdo zyrtar publik duhet t’i përmbahet me përpikmëri Kushtetutës dhe ligjeve, në mënyrë që të justifikojnë besimin e gjerë të publikut në Reformën e Sistemit të Drejtësisë” shprehet ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat