Rihapen Doktoraturat, Hoxha: Së shpejti shpallen kuotat dhe fushat e kërkimit shkencor

Shqipëria

Rihapen Doktoraturat, Hoxha: Së shpejti shpallen kuotat dhe fushat e kërkimit shkencor

Më: 20 prill 2022 Në ora: 15:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas gati 10 vitesh rihapet në Universitetin e Tiranës, cikli i tretë i studimeve. Së shpejti pritet që fakultetet të shpallin kuotat për programet e doktoraturave si dhe fushat e kërkimit shkencor, ndërkohë që rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, thotë se shqetësimi kryesor mbetet buxheti i pamjaftueshëm.

Programet e doktoraturave rihapen në Universitetin e Tiranës pas afro 10 vitesh.

Rektori, Artan Hoxha, njoftoi se fakultetet kanë përcaktuar fushat e kërkimit shkencor dhe shumë shpejt pritet shpallja e kuotave.

Hoxha: Të parët që përfitojnë nga këto programe janë ata pedagogë të kategorisë asistentë lektorë dhe që janë me kohë të plotë, punojnë në institucionet e arsimit të lartë.Pas tyre shërbimi bëhet për institucionet e tjera të arsimit të lartë publike dhe jopublik që kanë nevojë të rrisin akademikisht personelin e tyre.

Por teksa rikthehet cikli i tretë i studimeve, shumë programe ekzistuese rrezikojnë të mbyllen.

Mësuesia, Kimia e Fizika si dhe degë të Universitetit të Bujqësisë çdo vit po shënojnë ulje të numrit të studentëve. Rektori Hoxha thotë se po shihen mekanizma për të afruar të rinjtë në këto programe.

Hoxha: Po përgatitet një vendim i Këshillit të Ministrave për të përcaktuar mekanizmat që për profesione të cilat shoqëria ka nevojë, ka dhe mungesë duke i mbështetur ata në këto programe studimi si nga pikëpamja financiare ashtu dhe nga mundësitë që atyre u jepen për të studiuar dhe jashtë vendit.

Për Rektorin Hoxha shqetësim përbën buxheti i pamjaftueshëm për institucionet e arsimit të lartë.

Hoxha: Asnjëherë ne nuk kemi marrë buxhetet që kemi kërkuar, kemi marrë gjithmonë shkurtim të planifikimit tonë. Buxhetimi i arsimit të lartë në Shqipëri është në një nivel shumë, shumë të ulët.

Vitin e ri akademik pritet që në disa prej universiteteve të vendit të hapen edhe programe në gjuhë të huaja, ndërsa auditoreve mund ti bashkohen edhe studentë nga shtete të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat