Historia e panjohur e shqiptarit që doli nga burgu me ndërhyrjen e Ajnshtajnit/ Promemoria për Enverin në ‘45: Dhunimi i pronës private, vetëvrasje!

Shqipëria

Historia e panjohur e shqiptarit që doli nga burgu me ndërhyrjen e Ajnshtajnit/ Promemoria për Enverin në ‘45: Dhunimi i pronës private, vetëvrasje!

Më: 17 maj 2022 Në ora: 17:58
Foto

Në kulmin e euforisë së shkaktuar nga rezultati i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, lidershipi komunist, i përfshirë në revanshin e shtetëzimeve, është përballur me një oponencë të fortë që vinte jo nga viktimat e procesit, por nga zëra brenda sistemit.

“Jo dhunës ndaj pronës private!” Apeli zyrtar i Konstantin Boshnjakut, kreut të porsazgjedhur të Bankës së Shtetit, i kundërvihej kështu modelit stalinist të ekonomisë ofruar nga fituesit e zgjedhjeve të para të Pasluftës, madje me zë të lartë. Bashkë me kundërshtitë për reformat arbitrare, ai adresonte për Enver Hoxhën dhe qeveritarët komunistë alternativën e ekonomisë së tregut dhe të iniciativës së lirë. Në promemorien e panjohur të 22 dhjetorit 1945, ish-Guvernatori i Bankës, shprehet qartë e prerë: Pa iniciativën private, pa sektor privat, pa punën e tërë popullit, nuk ka prodhim, nuk ka rindërtim, as ndërtim, dhe as përparim të ekonomisë. I bindur në argumentin e vet, por edhe për pasojat e përplasjes, Boshnjaku nuk hezitonte ta çonte deri në fund kritikën ndaj diletantizmit që kishte rrëmbyer politikën e Enver Hoxhës me përpjekjet donkishoteske për të kapërcyer arbitrarisht prapambetjen e trashëguar e për t’u futur në rrugën e një ekonomie pa pronë private.

Në shtjellimin e mëtejshëm, zyrtari i lartë, duke shqyrtuar me kthjelltësi arsyet pse nuk duhet fetishizuar rëndësia e sektorit shtetëror, tërheq vëmendjen për të mos ngritur artificialisht rolin e tij, “mbasi kjo do ta bënte parazitar, ca më tepër që sektori shtetëror përbëhet nga pjesë të trashëgimisë të lëna nga Italia dhe jo nga realizime të zhvillimit gradual të ekonomisë, e cila gjendet në fazën e saj primitive”. Me merakun e intelektualit profesionist, Boshnjaku hedh idenë e rëndësisë së rolit të ekonomistëve kompetentë dhe të përparësisë së tyre mbi politikanët e ideologët në strukturat e angazhuara me përpunimin e strategjisë ekonomike. Po çfarë përmban tjetër promemoria e dhjetorit ‘45, kush është profili i autorit dhe çfarë ndodhi me të pas adresimit të saj te Enver Hoxha dhe ministrat e tjerë të qeverisë së parë komuniste…

PROMEMORIA
Banka e Shtetit Shqiptar Drejtoria e Përgjithshme Tiranë,
më 22 dhjetor 1945
Rezervate
Vetëm ministrave
Promemorie mbi rrugën që duhet të ndjekë sot ekonomia shqiptare Sot, kur Shteti ynë është mjaft i konsoliduar dhe gjëndet në kondita të mira politike si të jashtme, ashtu dhe të mbrendëshme, kujdesi më i math yni duhet të jetë si të përparojmë ekonomikisht. Po në këtë drejtim ne nuk kemi bërë mjaft punë dhe munt të themi që në politikën tonë ekonomike ne nuk jemi konsekuent, gjë që jep përfundime të dëmshme për ekonominë e vendit. E kam fjalën, -në iniciativën e private, nga një anë -në ekonominë e sektorit shtetnor, nga ana tjetër Rreth këtyre dy ekonomive ka një konfuzion mjaft të math. Jam i mëndjes që nè iniciativës private duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet t’a inkurajojmë dhe sidomos të mos t’a çqetësojmë herë pas here se, pa iniciativën private, do me thënë pa sektor privat, d.m.th. pa punën e tërë popullit shqiptar, nuk mund të bëhet as prodhim, dhe kuptohet vet vetiu, as rindërtim, as ndërtim, dhe as një përparim në ekonominë t’onë.

Iniciativë private do të thotë puna që bën tërë Shqipëria: puna e katundarit, puna e zanatçiut dhe çkëmbimi i prodhimit të kësaj pune prej tregëtarit të vogël, prej tregëtarit të mesëm dhe prej tregëtarit të math.  Sa për ekonominë e sektorit shtetnor, kësaj ekonomie ne nuk duhet t’i japëm më tepër rëndësi se sa ajo ka në realitet, në barasim me ekonominë e përgjithshme, dhe nuk duhet të mundohemi që këtë t’a ngremë artificjalisht në dëm të ekonomisë private, mbasi një gjë e tillë do t’a bënte parazitare. Pastaj duhet t’a dimë që sektori ynë shtetnor përbëhet prej disa trashëgimive që na ka lënë Italija, dhe këto nuk janë realizime të ardhura nga zhvillimi gradual i ekonomisë s’onë, e cila gjëndet në fazën e saj primitive. Ne, fjala bie, u kemi dhënë tapi bujqve dhe i kemi bërë pronarë e nuk i kemi shtetëzuar ose kolektivizuar tokat. Kjo është bërë tamam ashtu si duhej bërë. Në gjëndjen t’onë të sotme ashtu duhet bërë. Po këtë linjë duhet ta mbajmë kudo.

Ne që gjëndemi në këtë vend ku ka akoma disa mbeturina të matriarkatit, shumë të patriarkatit dhe më shumë të feodalizmit e që sot jemi n’alfa të revolucionit t’onë borgjez, nuk duhet të injorojmë se ku gjëndet ekonomia jonë sot, se aherë nuk bëjmë punë revolucionare. Ne duhet të jemi objektivë dhe të jemi konsekuentë. Duhet t’a lëmë katundarin t’a shesë prodhimin e tij lirisht dhe tregëtarin t’i bëjë po ashtu lirisht çkëmbimet, duke paguar taksat. Duhet të favorizojmë çdo shoqërim që ka për qëllim prodhimin, çkëmbimin ose industrializimin. Të bëhen shoqërira të vogla e të mbëdha: kolektive, anonime. Le të bëhen edhe banka prej privatvet. Neve nuk na janë aspak të rrezikshme. Po kupëtohet vetiut që do të favorizohet forma e kooperativavet ngjer sa këto nuk janë artificiale dhe janë në baza të forta. Përgjithësisht ne duhet të kemi për qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë.

Sa do që të pasurohen këtu brenda, le të pasurohen, mjaft që kapitalet ose fitimet të mos i nxjerrin jashtë. Sa për ekonominë e sektorit shtetnor, ajo duhet të organizohet në baza tregëtare. Një ekonomi shtetnore nuk duhet të ushqehet nga buxheti, por duhet t’i japë buxhetit fitime. Ata që do të punojnë në të tilla organizata ekonomike, duhet të mësojnë nga privatët si punohet dhe si fitohet, se po të japën zarare nuk ka kuptim që të ekzistojnë të tilla organizata. Ministritë nuk duhet të merren me tregëtira dhe nuk duhet t’u ndërhyjnë atyre që merren me organizata ekonomike shtetnore, se tjatër soj s’bëjnë dot as punën e tyre të ministrive dhe u prishin punë edhe të tjerëve. Kush është ngarkuar me një punë ekonomike duhet të lënë të bëjë punën e tij në qetësi, që mundë t’a përmirësojë e t’a zhvillojë. Këta nuk duhet të ndryshohen dëndur, se i bënet dëm punës. Problemet ekonomike duhet të zgjidhen si mbas ligjeve të tyre dhe në çdo mënyrë tjatër zgjidhjeje bën dëm. Jam i bindur se, kur të caktohet mirë rruga e mësipërme, e cila unë kujtoj se është ajo ku duhet sot të shkojë ekonomia jonë, kjo në një kohë shumë të shkurtër do marrë një hov të math dhe do të përparojë, duke vënë në eksploatim të shpejtë pasuritë t’ona të panumurta dhe do ta’ shtyjë përpara rindërtimin, ndërtimin dhe pasurimin e vendit tonë.

Konstantin Boshnjaku

HISTORIA E
DOKUMENTIT
Promemoria e Boshnjakut për modelin e ekonomisë së tregut ishte një sinjal i fortë për Enver Hoxhën në ditët e para të qeverisë komuniste, por jo i vetmi. Qasja e Guvernatorit të Bankës, këtë herë nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Njeriu që kishte marrë në dorë frenat e pushtetit pas Luftës, ishte njohur edhe më herët me pikëpamje të këtij lloji, madje nga njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt. Sejfulla Malishova, qysh në vitet e Luftës, por edhe më pas, kishte publikuar mendimet e tij për profilin e ekonomisë, me përparësi pronën private. Reagimi i Enverit që kishte përqafuar modelin stalinist, kishte qenë i menjëhershëm.

Pikëpamjet e mikut të dikurshëm ishin sulmuar egërsisht në mbledhjen e Byrosë Politike të fillimit të dhjetorit ‘45, duke paralajmëruar një plenum të veçantë për kryqëzatën ndaj Malishovës dhe tezave të tij të stigmatizuara oportuniste. Pikërisht, në vigjilje të këtij të fundit, Boshnjaku, që ndiqte nga afër përplasjet e radhës dhe ndjente rrezikun që shfaqej, nxitoi të kundërshtojë hapur linjën zyrtare me anën e një promemorie në adresë të Hoxhës dhe ministrave të tij, ku e parashikonte të dështuar modelin e ekonomisë së centralizuar. Dokumenti me paralajmërimin profetik mban datën 22 dhjetor 1945. Dy muaj më pas, pikërisht në shkurt të vitit ‘46, në plenumin e Komitetit Qendror, Enver Hoxha i bëri thirrje lidershipit të partisë të fshikullojë pikëpamjet liberale të Malishovës e Boshnjakut për qëndrimin ndaj pronës, dhe urdhëroi “spastrimin urgjent e radikal të këtyre tendencave”.

Pas këtij momenti, drejtori i Bankës u vendos në syrin e ciklonit, por nuk u tërhoq për asnjë çast. Sakaq, edhe Hoxha nuk u mjaftua me kaq. Mbledhja e Byrosë Politike, e 9 qer shorit ‘46, shënoi divorcin përfundimtar me guvernatorin e Bankës, duke e destinuar për kryqëzatën e armiqve të popullit. Që këtej, Boshnjaku, i njohur edhe përtej Ballkanit për vlera të spikatura intelektuale, u bë objekt i goditjeve të pamëshirshme dhe iu nënshtrua një kalvari të gjatë vuajtjesh. Promemoria tronditëse, por jo vetëm, u bë shkak të humbiste vendin e punës, por edhe liritë njerëzore. Sidoqoftë, as vitet e egra të burgut nuk zbehën assesi kurajën dhe vizionin progresiv të ish-guvernatorit, i cili, asokohe, njihte më mirë nga shumëkush marrëzitë e modelit stalinist të ekonomisë që aplikoi regjimi i Hoxhës.

Boshnjaku, shqiptari që doli nga burgu me ndërhyrjen e Ajnshtajnit

Në kujtimet që ka lënë në dorëshkrim, Konstantin Boshnjaku përmend një fakt interesante, që ka të bëjë me miqësinë me Ajnshtajnin. Ish-guvernatori pohon se kur ka qenë i burgosur në Austri, ka rifituar lirinë falë ndërhyrjes energjike të tij. I arrestuar pas atentatit të bujshëm të Zogut në vitin 1929, ai është befasuar kur e kanë njoftuar për ta lënë qelinë. Më vonë ka mësuar se prangosja e tij kishte shkaktuar indinjatë të madhe te mjaft nga njerëzit e shquar, të cilët apeluan me mënyrat e tyre për t’ia hequr prangat. Emri i mirë dhe kontributet e spikatura të Boshnjakut në fushën studimore-shkencore, kishin sjellë rrethanën fatlume, që nuk pati shansin të përsëritej në rastin e arrestimit të dytë nga regjmi komunist i Tiranës, dy dekada më vonë.

Sidoqoftë, rruga për të mbërritur deri këtu për mikun shqiptar të Anjshtajnit nuk kishte qenë e lehtë. Pas diplomimit në Institutin Tregtar të Pireut në Greqi, Boshnjaku ushtroi për disa vjet detyrën e bankierit në disa qytete të Bashkimit Sovjetik, për t’u rikthyer në Shqipëri në vitin 1914, tanimë në funksionin e drejtorit të Thesarit dhe Borxhit Shtetëror në administratën e Princ Vidit. Gjatë emigrimit pas zhvillimeve dramatike të fillimviteve ‘20 në Zvicër, Gjermani, Francë, Rumani e Austri, ridimensionoi dijet e kualitetet profesionale, por edhe miqësitë me emrat e shquar të botës shqiptare Fan Noli, Asdreni, Faik Konica, Sejfulla Malishova, Nikoll Ivanaj, Halim Xhelo etj.

I rikthyer në Shqipëri pas vitit 1939, u angazhua aktivisht në radhët e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku falë integritetit dhe cilësive të veçanta, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, pozicion ky që e lidhi me liderët më të lartë të PKSH-së, ndër të cilët preferonte Nako Spiron e Sejfulla Malishovën. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor dhe po në atë periudhë u caktua drejtor i përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar, detyrë të cilën e kreu deri më 2 prill të vitit 1946, duke ia lënë Abdyl Kllëzit, një tjetër ekonomist i asaj periudhe që bëri karrierë të gjatë në hierarkinë komuniste të regjimit. Përplasja me Enverin dhe lidershipin e kohës për modelin ekonomik të Shqipërisë së Pasluftës, i kushtoi jo vetëm humbjen e vendit të punës, por edhe një kalvar të gjatë vuajtjesh e persekutimi. Në fillim të vitit 1947, ish-miku i Ajnshtajnit u arrestua me akuzën si pjesëtarë i grupit të deputetëve dhe agjent i anglo-amerikanëve dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por falë një amnistie të përgjithshme në vitin 1949, u lirua.

CV KONSTANTIN BOSHNJAKU

Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë,
17 janar 1945 – 2 prill 1946 Vendlindja:
Gjat, Lunxhëri, Gjirokastër.
Shkollimi: Instituti Tregtar i Pireut, Greqi.
Eksperiencë pune:
1908 – 1911, bankier, Odesë, Ukrainë.
1911 – 1914, bankier, Petërsburg, Rusi.
7 mars 1914 – 3 shtator 1914, drejtor i Thesarit dhe i Borxhit Publik, në qeverinë e Princ Vidit.
1914 – 1919, drejtor banke në Petersburg.
1919 – 1922, kryetar i kolonisë shqiptare në Stamboll.
1924 – 1939, emigrant politik në Vjenë, Sofje dhe Bukuresht.
1939 – 1943, në Këshillin Kontrollues të Bankës së Shtetit.
1943 – 1944, pjesëmarrës aktiv në forumet e Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
17 janar 1945, drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit Shqiptar 2 dhjetor 1945, deputet i qytetit të Shkodrës.
15 maj 1947, arrestohet si pjesë e grupit të deputetëve 27 prill 1949, lirohet me amnisti.
1949-1953, punon përkthyes për organizata tregtare.
Vdiq në vitin 1953./ Panorama.al

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat