Presidenti i ri/ Erion Veliaj: PS ka gati listën me 10 figura dinjitoze!

Shqipëria

Presidenti i ri/ Erion Veliaj: PS ka gati listën me 10 figura dinjitoze!

Më: 28 maj 2022 Në ora: 19:28
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se PS është e vendosur që brenda qershorit t’i japë vendit një President të ri.

Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Veliaj deklaroi se nëse PD nuk do të propozojë edhe në raundin e tretë një kandidat të sajin, atëherë PS ka gati listën me 10 burra dhe gra dinjitozë, mes të cilëve do të zgjidhet Presidenti i ri.

“Brenda qershorit ne do të kemi një President. Me shumë gjasa, sipas kritereve që kemi rënë dakord, do të kemi një President normal, që nuk bën brigadierin e komunales. Ne kemi pasur president që drejtonin protestat kundër projektit të Astirit. Na duhet një president që merret me punët e tij. Unë kam parë kryetar bashkie që duan të bëhen President, por presidentë që duan të bëhen drejtor komunaleje, nuk kisha parë.

Ne kemi  10 figura, burra dhe gra dinjitozë, që kanë treguar në CV-në e tyre se ruajnë reputacionin e vendit tonë, stemën e Republikës sonë. Besoj se mes këtyre 10 figurave, ne do të marrim një vendim Kryesie.

Me sa duket, ata e kanë humbur rrugën  në oborr si “Xhaferri simiten”. Do ju japim edhe një mundësi të tretë, na propozoni një emër që të jetë i pranueshëm. Di të them këtë që Kryeministri është super i vendosur që të mos kemi një deputet aktiv, një socialist aktiv, por të kemi një njeri normal. Besoj se i kemi dalë borxhit opozitës duke i thënë tre herë na propozoni një njeri normal, na propozo një figurë të pranueshme, një njeri unifikues të vendit tonë. Nëse opozita thotë tre herë “Jo”, atëherë do të duhet që ta propozojmë vetë këtë figurë. Besoj se mes 10 emrave që kemi, do të zgjedhim një personalitet dinjitoz, që nuk merret me ujërat e zeza, me asfaltin, me llaç e tulla, dhe nuk e çon shkollën “Sami Frashëri” në Paskuqan”, theksoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat