Korrupsioni në dogana dhe IKMT/ Akademiku Fuga: Çështjeve i duhet shkuar deri në fund, të veprojnë institucionet!

Shqipëria

Korrupsioni në dogana dhe IKMT/ Akademiku Fuga: Çështjeve i duhet shkuar deri në fund, të veprojnë institucionet!

Më: 19 dhjetor 2022 Në ora: 17:01
Akademiku Fuga

Akademiku Artan Fuga ka komentuar investigimet e publikuara nga News24 për korrupsionin në dogana dhe IKMT. Akademiku shprehet se këtyre çështjeve i duhet shkuar deri në fund, pra institucionet të veprojnë pas publikimit të informacioneve të tilla.

Në një intervistë për Neës24, Fuga tha se çdo vonesë nga këto institucione, është dëm që i sillet shtetit shqiptar dhe qytetarëve.

Fuga: Fakti që dalin të gjitha këto afera, dyshime, media i jep raste të qarta të korrupsionit dhe me këto kamera… Është meritë e medias dhe investigimi është i padiskutueshëm që është një kontribut i medias për të përmirësuar klimën politike. Problemi është se duhet shkuar deri në fund. Institucionet duhet të veprojnë. Kjo duhet çuar deri në fund. Çdo vonesë është një dëm që i sillet shtetit, qytetarit, demokracisë, gjithçkaje që mund të shëndoshë këtë shoqëri.

A ka mundësi opozita që të fitojë ato pjesë të elektoratit në qytetet e mëdha vetëm me kaq? Unë mendoj që jo. Pa një projekt të madh në çdo qytet, në çdo bashki, mendoj që për disa rrethana të caktuara të gjithë këta faktorë nuk mjaftojnë, janë hapa të mirë, por nuk mjaftojnë. Qytetari nuk ecën as me idenë e revanshit, as me idenë që u ndëshkua ky apo ai, qytetari shikon interesin e vetë.

Ndër të tjera, Fuga analizoi edhe zhvillimet e fundit në vend për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Altin Dumanin. Ai tha se pas largimit të opozitës nga parlamenti, zgjedhjet u bënë nga maxhoranca dhe një drejtësi në gjyqësor nuk u arrit dot.

Fuga: Po t’i kthehemi viteve përpara, nga viti 2016. Një natë korriku, ndërhyrjet në Kushtetutën e Shqipërisë u bënë me një votim pothuajse 100% të deputetëve, por me një ndërhyrje nga jashtë, me atë ndërhyrje që ishte nga ana e partnerëve dhe aleatëve të Shqipërisë, SHBA-ja dhe BE-ja. Çfarë do të thoshte për mua kjo në atë kohë? Kjo do të thoshte që Kuvendi i Shqipërisë dhe shteti shqiptar nuk ishin në gjendje dot ta reformonin sistemin e drejtësisë, ta pastronin, ta kthenin në standardet që donin qytetarët; e dyta se në Shqipëri në atë kohë nuk kishte një ndarje të pushteteve, siç ndërtohet çdo shtet ligjor.

Për të bërë këtë ndarje unë kuptova, erdhi një ndërhyrje nga jashtë. U aprovuan disa nene të Kushtetutës, ku një nga këta nene të rinj të Kushtetutës, kërkonte që KLP apo KLGJ të ndërtoheshin në atë mënyrë, ku një grup më i vogël brenda komisionit të ligjeve të kishte mundësi të bënte emërimet fillestare dhe atje një zë kishte opozita.

Në 2019 opozita largohet nga parlamenti. Dhe sot shikohen të gjitha ato dëme të tmerrshme që pati ai veprim politik i udhëhequr nga z. Basha, por edhe i ndjekur nga e gjithë elita politike e PD-së dhe më gjerë se kaq dhe LSI-së në atë kohë, sepse në këtë komision ku duhet të votonte dhe opozita, ku mund të negocionte, nuk mori pjesë dhe i la të lirë shumicës parlamentare që të votonte ata individë që prodhuan kandidaturat që praktikisht janë afër pushtetit, shumicës parlamentare, qoftë nëpërmjet kulturës, lidhjeve familjare, bindjeve politike. Pikërisht në këtë moment shihet që ajo që duhej bërë që të kishte një drejtësi në gjyqësor, nuk u arrit dot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat