Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj feston 64-vjetorin e lindjes, bën bashkë politikanë, klerikë, biznesmenë e diplomatë, ja mesazhi i tij

Shqipëria

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahimaj feston 64-vjetorin e lindjes, bën bashkë politikanë, klerikë, biznesmenë e diplomatë, ja mesazhi i tij

Më: 20 maj 2023 Në ora: 15:25
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Edmond Brahima

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj festoi përvjetorin e 64-të të lindjes. Në këtë ditë të veçantë për komunitetin bektashian, për klerikët e këtij besimi të paqtë, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka mbledhur të afërm, miq, besimtarë dhe personalitete të ndryshme nga politika, biznesi, arti dhe diplomatë të huaj.

Duke përshëndetur e falënderuar të ftuarit, Baba Mondi tha se jeta e tij do të jetë gjithmonë në shërbim të Zotit duke dhënë mesazh që kudo të mbizotërojë dashuria, paqja dhe mirësia.

“Në këtë ditë të përvjetorit tim uroj dhe bekoj për të gjithë ju të keni dashuri, paqe mirësi e cila na nderon neve si njerëz. Dashuria është ajo që mban njerëzimin ne këmbë. Edhe puna e cila i largon njerëzit nga keqësia edhe dituria që i mëson njerëzit të kenë dashuri me njëri-tjetrin, i mëson me mësimet e Perëndisë, të shkencës të kulturës artit gjithçka që ka krijuar Zoti”, u shpreh Baba Mondi ndër të tjera në mesazhin e tij.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falënderoi Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve për punën e tij në emancipimin e shoqërisë.

“Një komunitet jo vetëm një bekim nga mënyra e besimit, por dhe një komunitet patriotik gjithmonë avangardë për ndriçimin e vendit tonë, emancipimin e vendit tonë për gjuhën shqipe. Të falënderoj baba që je mishërimi i kësaj pune falënderoj gjithë vëllezërit e besimeve. Kjo dritë dhe ky bekim u shtoftë në jetët tona siç shtohen vitet e jetës tënde”, tha Veliaj.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në fund të viteve ‘90, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, mori pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe, menjëherë u ngarkua me detyrë në Gjyshatën Bektashiane Korçë. Puna e palodhur e tij për kontinuitetin dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba”. Më 11 qershor 2011 me vendim të Këshillit të Lartë Gjyshëror të Kryegjyshatës Botërore, pas ndarjes nga jeta e Haxhi Dede Reshat Bardhit, Dede Edmond Brahimaj, është zgjedhur në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve.

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, është i 39-ti Kryegjysh Botëror në 800 vite të bektashizmit.

Janë me dhjetëra vlerësime të krerëve të shteteve dhe organizmave të lartë shtetërorë e shoqërorë për punën e Kryegjyshit Botëror Bektashian, si Titulli “Kalorësi i Skënderbeut”, nga Presidenti i Republikës, medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Qeveria e Kosovës, titullin “Mirënjohje”, nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në vitin 2019, “Profesor Nderi”, i Universitetit të St. Petërsburg, etj

Bektashinjtë janë shquar gjithmonë për përkushtimin, humanizmin, patriotizmin e paqen dhe nën drejtimin e Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj këto vlera janë zhvilluar e pasuruar më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat