Përurohet memoriali “Post-Bllok”, instalacion për izolimin komunist - Bota Sot
Përurohet memoriali “Post-Bllok”, instalacion për izolimin komunist

Shqipëria

Përurohet memoriali “Post-Bllok”, instalacion për izolimin komunist

Më: 26 mars 2013 Në ora: 12:33

U përurua sot memoriali “Post-Bllok” për izolimin komunist. Instalacioni do të qëndrojë në hyrje të bllokut, duke synuar që të përcjellë të brazat atë pjesë të historisë së vendit nën regjimin komunist.

Në gjykimin e kreut të qeverisë ky instilacion ka një simbolikë shumë të madhe dhe të fuqishme për vendin.

“Gjermania solli këtu një pjesë të Murit të Berlinit. Ai ndante botën e lirë nga Europa, që vuante nga regjimi totalitar. Shembja e tij përbën ngjarjen më të madhe të lirisë. Mirënjohje të thellë për këtë instilacion. Artistët kanë përzgjedhur simbolet më të goditura. Në Tiranë nuk kishte mur por kishte tela me gjemba dhe kishte diçka tjetër që nuk ekzistonte në vendet komuniste dhe kjo ishte bunkeri. Shqipëria në tragjedinë e saj shndërroi të gjitha pasuritë që krijonte nga qindra mijëra bunker që po t'i ktheheshin në blloqe të piramidave ndoshta do të ndërtonte dy herë piramidat e faraonëve. Aspekti tjetër tmerrësisht tragjik ishte uria kronike në të cilën kombi u zhyt në bunkerin e tij. Regjimi i Enver Hoxhës në dallim nga regjimet e tjera me uri u rezervoi fat tragjik qindra dhe mijëra shqiptarëve. Artistët kanë përgjedhur për memorien kombëtare Spaçin, një nga burgjet më të egra të të gjithë botës ish-komuniste", vlerësoi Berisha.

Por sipas tij, e shkuara vlen për të projektuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt.
"Në histori e shkuara të shërben më së shumti për një të ardhme me të mirë, e më të sigurtë, ndaj dhe ne shqiptarët kemi shumë arsye që të rikujtojmë të shkuarën në mënyrë të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë, e hidhur është kur mendon se ky është fillim, por ngushëllim është kur shikon se është një fillim me simbolikë të fuqishme, vështrim të qartë drejt së ardhmes, të nderojmë e kujtojmë ata që sakrifikuan për vlerat më të arrira njerëzore dhe hyjnore", u shpreh Berisha.

Pranë bunkerit që ndodhet në hyrjen kryesore të Bllokut janë vendosur dhe shtylla betoni nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit. Copa e murit me peshë 2.6 tonë, dhuratë e Berlinit për qytetarët e Shqipërisë e cila u soll në Tiranë me iniciativën e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës së SED janë tashmë pjesë e “Post Bllokut”.
Me segmentin e murit të vendosur në Tiranë, Shqipëria merr një pjesë të murit të Berlinit, si një simbol të lirisë. Dokumentimi “Muri i Berlinit në Botë” i Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës regjistron më shumë se 120 segmente të murit të cilat janë ekspozuar në të gjithë kontinentet e banuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat