Gjermania shpall 50 mijë vende të lira pune. Ja si të aplikoni dhe zanatet që kërkohen

Shqipëria

Gjermania shpall 50 mijë vende të lira pune. Ja si të aplikoni dhe zanatet që kërkohen

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 19:19
Ilustrim

Gjermania ka njoftuar se janë 50 mijë vende të lira pune për këdo që ka një zanat. Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko.

Ai sqaron procedurat që do duhet të ndiqen prej atyre që janë të interesuar. Kualifikimi i duhur dhe njohja e një gjuhe të huaj janë dy kriteret bazë që kërkohen.

Micko thotë se misioni i SHKP në gjithë këtë proces është thjesht dhe vetëm informues. Në çdo zyrë pune do të jetë një sportel i posaçëm që do të shërbejë për të orientuar qytetarët mbi hapat që duhet të ndjekin. Sa i takon listës së profesioneve që kërkohen, është e larmishme, duke filluar nga mekanik, agronom, hidraulik dhe deri tek infermierë, mjekë dhe farmacistë.  

Të interesuarit mund të informohen për vendet e lira të punës në faqen e internetit http://www.make-it-in-germany.com, ku edhe mund të aplikoni. 

"Portali zyrtar gjerman “Make it in Germany” http://www.make-it-in-germany. com/ publikon prej shumë kohësh vendet vakante në Gjermani, ashtu sikurse publikojmë edhe ne në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, vendet vakante online. Ka profesione të ndryshme që kërkohen, që në shumë raste janë shumë specifike, si për shembull profesionet që kanë të bëjnë me përpunimin e metaleve, mekatronikën, profesionet elektrike dhe elektroteknike, TIK, sigurimi teknik në ndërtesa, mashinist treni, mjekësi dhe kujdesi shëndetësor etj. Procesi i aplikimit është i hapur për të gjithë, nuk ka kritere paraprake, qofshin këto moshore, gjinore etj. E vetmja kërkesë që duhet përmbushur është kualifikimi i duhur për vendin e punës. Pra në këto kushte mund të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë kushtet për të përfituar një vend pune, ku natyrisht kërkohen njohuri të gjuhës së huaj, në të shumtën e rasteve gjermanisht, si dhe një dëshmi profesionale e njohur në Gjermani", thotë Micko për mediat shqiptare. 

Kjo kërkesë e shtetit gjerman për të mbushur boshllëqet e tregut vendës me forcë punëtore të kualifikuar ka ngjallur interesin e shumë të rinjve, të cilët u janë drejtuar zyrave të punës për të aplikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat