Bashkëqeverisje PS-PD pas zgjedhjeve? Gjekmarkaj: Shenja ka, por a do t’i thotë Braçe Bashës shef dhe Rama Vokshit Pam?

Shqipëria

Bashkëqeverisje PS-PD pas zgjedhjeve? Gjekmarkaj: Shenja ka, por a do t’i thotë Braçe Bashës shef dhe Rama Vokshit Pam?

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 14:43
Kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha

Marrëveshjen Rama-Basha analisti Gjekmarkaj e sheh edhe si një lloj borxhi që dy partitë i lanë LSI-së, si për qeverisjen dhe shqetësimet që i ka krijuar asaj, po ashtu edhe Bashës për bashkëpunimin e shpresuar gjatë protestës në çadër.

Image
Agron Gjekmarkaj

Pas 18 majit kemi një marrëveshje Rama-Basha, e cila po zbulohet ditë pas dite në përmbajtje. Mendoni se kjo marrëveshje mund të shtrihet edhe në një qeverisje PS-PD pas zgjedhjeve të 25 qershorit? Si e shihni këtë dhe sa funksionale mund të jetë? 

Agron Gjekmarkaj: Marrëveshja e ka relaksuar klimën politike, e cila po prekte kufijtë e një konflikti të pazakontë. Zyrtarisht na është thënë se kjo marrëveshje është para elektorale me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, s’ka një komunikatë publike të deklarimit të bashkëqeverisjes PS-PD. Por kjo çdo ditë e më tepër duket një fushatë e çuditshme.

Kryeministri, i cili këta katër vjet ka qeverisur keq, shfaqet i qetë dhe as jep llogari për mosrealizimet e në njëfarë mënyre nuk po premton gjë. Komunikimi i tij bazohet mbi batuta, shakara, dollira, diversion dhe cimbisje për liderin e Opozitës me qëllim tërheqjen e këtij të fundit në këtë lojë hidh-e-prit. Kështu tentohet shmangia e çdo debati mbi programin të cilin me gjasë qeveria se ka një të tillë, ndërsa opozita po. Logjika nuk mund ta pranojë këtë si rastësi.

Gjithashtu, me sa thuhet ai lëshoi më shumë se çfarë propozoi Mcallister me kushtin që Basha të mos kërkonte shtyrje votimesh për në korrik. Në këtë mënyrë, ai i dha duart LSI-së dhe partive të tjera të vogla. Nuk u kujdes të ruante një raport me to për ta mbyllur paraprakisht betejën me aritmetikë. Rama dikur fort i zellshëm për deklarim koalicioni befas u shfaq po kaq i zellshëm për të dalë në zgjedhje pa të në fund. Pra, shenja për një bashkëqeverisje ka, teksa palët presin rezultatet e zgjedhjeve për të konfirmuar këtë linjë ose për t’i ikur asaj me prove force.

Duhet thënë nëse do kemi një koalicion të madh në Shqipëri zor të besohet se ai është produkt i vullnetit politik të dy liderëve pa bekimin e ndërkombëtarëve, ndoshta me kushtëzimin e tyre. Personalisht do të mbështesja një konfigurim të qartë pushtet-opozitë për shumë arsye. Ndonëse duke parë që çdo gjë që propozon njëra palë hidhet poshtë nga tjetra, mes akuzash të rrepta ndoshta për t’u dhënë stabilitet dhe besueshmëri reformave që afrojnë procesin e integrimit mund të jetë një eksperiment, i cili duhet parë në proces dhe nën një monitorim të fortë.

Opozita zakonisht denoncon hajdutëritë ndaj mbetet meraku mos na zhduken hajdutët e s’kemi më të tillë si me magji. Gjithashtu lind një kuriozitet i madh. Ai sesi Erjon Braçe e Taulant Balla do ta mbrojnë Lulzim Bashën Kryeministër dhe sesi Edi Paloka dhe Albana Vokshi ministra të kabinetit Rama do t’i thonë atij shef?! A do e thërrasë Rama Vokshin, Pam???!!!

Por duket se kjo marrëveshje një nga pikat e saj ka dhe lënien në hije të partive të tjera, përfshirë këtu edhe LSI-në, për të konsoliduar bipartitizmin. Kjo ka sjellë dhe përplasjen mes PS-së dhe LSI-së, dy parti që bashkëqeverisin. Si e shihni këtë moment në marrëdhënien mes dy partive?

Agron Gjekmarkaj: Partitë e vogla shpesh janë dëshmuar parazitare në këtë vend dhe simbole të autokracisë dhe degradimit, një kryetar, një vulë, një zyrë, një votues dhe një deputet për pothuaj 20 vjet rresht. PD me gjasë u fut në një borxh moral ndaj tyre me historinë e çadrës dhe për këtë i shpërbleu disa kryetarë duke i futur në listat e veta në vende relativisht të sigurta, vende të cilat nëse do përballeshin në popull, zor se do t’i fitonin.

Edi Rama duke i joshur i bëri ata më të çmueshëm dhe të kushtueshëm për Bashën. Natyrisht ata i qëndruan kauzës së çadrës dhe për këtë siguruan veten d.m.th. Kryetarët, por lanë peng të marrëveshjes partitë. Nuk humben ndonjë gjë të madhe. Të dielën, në plazhin e Malit të Robit pashë një kryetar partie gjithë ditën e lume në plazh. Ishte njëri prej atyre me vend të sigurt në listën e PD-së.

Tanimë pas zgjedhjeve të vitit 2013, LSI nuk konsiderohet më një parti e vogël. Ajo me numrin e saj të konsiderueshëm të deputetëve i ka shtuar pretendimet dhe krenarinë e vet. Ky zgjerim i lejoi asaj të krijonte një klimë trepolare disa herë të dobishme, sidomos gjatë procesit të Reformës në Drejtësi. Marrëdhëniet Rama-Meta dukshëm kanë vuajtur mungesën e besimit dhe intrigat e ndërsjella. Në momentet kyçe të qeverisjes së tij, Rama është ndier i shantazhuar nga aleati.

Po ashtu opozita, e cila shpesh ngjan të ketë shpresuar në bashkëpunimin e LSI për të rrezuar Ramën, ka mbetur po kaq e zhgënjyer dhe buzëplasur nga ikjet e Metës në moment të fundit. Kështu që dy të mëdhenjtë kanë venduar ta ndalojnë hemorragjinë e votave në drejtim të LSI-së me veprime konkrete dhe retorekë të fortë ndaj saj. Kjo ka ngjallur kundërreagim nga LSI që po bën fushatën e saj më aktive dhe agresive që ka realizuar ndonjëherë. Surprizat nuk kanë të sosur në politikën e Tiranës, mbase numrat e LSI dhe ofertat e saj mund t’i tundojnë dy protagonistët e marrëveshjes të synojnë të marrin ose rimarrin karrigen e Kryeministrit me ndihmën e LSI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat