“Çelësi i IMSI Catcher sekretohej në zarf, pajisja qëndronte në polici”

Shqipëria

“Çelësi i IMSI Catcher sekretohej në zarf, pajisja qëndronte në polici”

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 10:07
Pajisja IMSI Catcher

Autoritetet italiane japin të dhëna për detajet teknike të pajisjes përgjuese dhe thonë se ajo duhet të përdorej vetëm nën mbikëqyrjen e tyre. IMSI Catcher erdhi në Shqipëri si pjesë e një trajnimi të përbashkët për identifikimin dhe lokalizimin e subjekteve nëpërmjet telefonit. Automjeti me pajisjen përgjuese nuk është larguar nga Shqipëria, por ndodhet në Ambasadën Italiane në Tiranë.

Një vit pas skandalit të pajisjes përgjuese “IMSI Catcher”, autoritetet italiane dërgojnë pranë prokurorisë shqiptare përgjigjen e letër-porosisë mbi përdorimin e kësaj pajisjeje në Shqipëri.

Letër-porosia përmban të dhëna mbi pajisjen, automjetin që e transporton atë, si dhe dëshmitë e instruktorëve italianë të cilët kanë patur si detyrë të përdorin aparaturën “IMSI Catcher” në Shqipëri.

Letër-porosia tashmë është përkthyer dhe pritet të vihet në dispozicion të prokurorisë, e cila do të qartësojë situatën për mënyrën e përdorimit të “IMSI Catcher” nga policia.

Sipas burimeve pranë Ministrisë së Drejtësisë mësohet se dy nga pjesët kryesore të letër-porosisë janë të dhënat dhe specifikimet teknike të pajisjes dhe dëshmitë e instruktorëve italianë.

Këta të fundit sqarojnë se në bazë të një marrëveshjeje me policinë shqiptare kanë hartuar një program trajnimi me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e subjekteve të ndryshme nëpërmjet numrit të telefonit.

Ky pohim tregon se pajisja ka qenë në gjendje punë dhe në trajnim ka shërbyer pikërisht për këto dy elemente, por dyshimet e prokurorisë tregojnë se pajisja është përdorur për të njëjtin qëllim, por në mënyrë të paautorizuar, jashtë programit të trajnimit.

Në ndihmë të prokurorisë vijnë sërish dëshmitë e instruktorëve italianë, të cilët pasi shpjegojnë me detaje programin e trajnimit në ndihmë të policisë shqiptare, tregojnë se pajisja është përdorur vetëm nën mbikëqyrjen e tyre.

Gjatë kohës që ata largoheshin nga Shqipëria, siç tregojnë instruktorët, çelësin e automjetit që transportonte pajisjen e linin në bazën ku zhvillohej trajnimi.

“Gjatë kohës që nuk ndodheshim në Shqipëri, çelësin e automjetit e vendosnim në një zarf të sekretuar dhe e linim në bazën ku zhvillohej trajnimi me policinë shqiptare”, tregojnë në përgjigjen e tyre instruktorët italianë.

Vendndodhja e bazës së policisë është identifikuar, nga prokuroria dhe nga kamerat e sigurisë rezulton se automjeti tip “BMW”, në bordin e të cilës ndodhej pajisja “IMSI Catcher” ka lëvizur disa herë edhe pa praninë e instruktorëve italianë.

Ky fakt konfirmohet edhe nga regjistri i bazës së policisë, ku rezulton se ky automjet është drejtuar nga specialisti i policisë Enton Xhelilaj për të cilin prokuroria kërkoi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ndërsa lidhur me pyetjen nëse kjo pajisje ka qenë në gjendje të përgjonte telefonata, autoritetet italiane nuk janë përgjigjur në mënyrë direkte, por kanë detajuar të dhënat specifike të pajisjes, sipas porosisë që është kryer me qëllim zbatimin e programit të trajnimit.

Këto të dhëna do të shqyrtohen nga prokuroria dhe ekspertë me njohuri të posaçme në këtë fushë, të cilët do të japin konkluzionin nëse kjo pajisje ishte në gjendje të përgjonte telefona ose jo.

Një tjetër çështje për të cilën prokuroria ka kërkuar informacion nga pala italiane është edhe vendndodhja e pajisjes e cila nuk është gjetur dhe ekspertuar ende.

Sipas përgjigjes së mbërritur në letër-porosi thuhet se automjeti që transporton pajisjen IMSI Catcher nuk është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë.

Kjo makinë bashkë me aparaturën ndodhen në ambasadën italiane në Tiranë. Nisur nga këto të dhëna prokuroria e ka të pamundur të sekuestrojë pajisjen pasi territori i ambasadës konsiderohet si tokë e shtetit italiane.

E vetmja mënyrë për të sekuestruar pajisjen me qëllim ekspertimin e saj është dorëzimi vullnetar i aparaturës nga autoritetet italiane ose tentative për ta larguar atë me automjetin që e ka në bord.

Përmbajtja e letër-porosisë sipas burimeve ka shumë të dhëna të rëndësishme që pritet t’i japin një rrjedhë tjetër hetimit dhe të konfirmojnë dyshimet e prokurorisë se pajisja përgjuese IMSI Catcher është përdorur për qëllime të dyshimta nga polica shqiptare pa autorizimin e prokurorisë dhe jashtë programit trajnues nga instruktorët italianë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat